Biznesi i ëmbël i luleshtrydheve

Klima e favorshme në Shqipëri ka nxitur rritjen e prodhimit të luleshtrydheve. Vitet e fundit është parë si një investim i zgjuar, edhe me ndikimin e pandemisë. Fermerët ankohen për zhvlerësimin e çmimit dhe skarcitetin e mallit. Ndërsa bizneset e fushës pohojnë se tregjet e huaja kanë kërkesë të lartë për luleshtrydhen shqiptare.

Biznesi i luleshtrydhes është konsideruar vitet e fundit si një ide e shkëlqyeshme për sipërmarrësit që duan të “provojnë” aftësitë në fushën e bujqësisë. Nuk do të keni nevojë për investime të mëdha dhe viti i parë do t’ju lejojë të rimbursoni kostot fillestare. Së pari, nevojitet një kapital, por sipas ekspertëve të fushës, kthimi i investimit është i shpejtë, pasi duhen 6-7 muaj që të merret prodhimi, duke rikuperuar koston fillestare.

Biznesi për kultivimin e luleshtrydheve ka problemet e veta me të cilat mund të përballet çdo sipërmarrës. Statistikat e konsumit të luleshtrydheve në vend tregojnë se kërkesa për luleshtrydhet po rritet çdo vit. Artur Vrushti është një prej sipërmarrësve i cili po shijon frytet e tregtisë së luleshtrydheve prej 4 vitesh. Ai i mbledh luleshtrydhet nga fermerët e zonës dhe i eksporton ato në rajon dhe Europë. Sipas tij, kërkesa për luleshtrydhe, si në tregun brenda dhe jashtë, është rritur me rreth 20% këtë vit.

Luleshtrydhja përmban vlera të mëdha. Rënia e çmimit në fund të muajit maj dhe qershor rrit më tepër shitjet, sipas z. Vrushti. Ai shton se, teknologjitë moderne dhe varietetet e shumimit lejojnë që luleshtrydhja të rritet edhe në serë. “Këto karakteristika të luleshtrydheve na lejojnë ta kthejmë kultivimin e saj në biznes fitimprurës. Përfitueshmëria e produkteve në dimër mund të jetë deri në 300%. Ne eksportojmë për Europën, jo vetëm për tregti në sezonin e vet, por edhe për industri, si dhe për luleshtrydhe të ngrira, që i përdorin biznese si pastiçeri.

Një përfitim i tillë, kaq i madh, është i vështirë për t’u arritur kur rritet kultura të tjera” – thotë z. Vrusht. “Në tre muaj kemi një pikë prodhimi, këtë vit kemi arritur të mbledhim më shumë se vitet e mëparshme, aq sa kemi arritur të eksportojmë 30-40 tonë luleshtrydhe në ditë”, thotë z. Vrushti, entuziast për prodhimin në Kafaraj.

Sa u përket kushteve klimatike, të cilat vite më parë kanë qenë faktor për problematika për këtë kulturë, këtë vit, z. Vrushti pohon se moti ka qenë i favorshëm dhe kanë pasur shumë prodhim.

Prodhimi

Çdo frutë e luleshtrydhes vilet me dorë. Në zonën e Kafarajt në Fier, janë mbi 100 hektarë të kultivuara me luleshtrydhe në serra tunel. Mbjelljet e hershme të fidanëve fillojnë nga data 20 shtator deri më 15 tetor dhe ato të vona, nga data 25 tetor deri më 5 nëntor. Vjeljet e para në sasi të kufizuara, sipas fermerëve nisin që nga 25 nëntori, por prodhimi maksimal arrihet nga 15 marsi deri më 15 maj. Gjithsesi, vjelja vazhdon deri në fund të qershorit, kur çmimi është më i ulët.

Tregu kryesor është ai lokal, kryesisht Tirana, por luleshtrydhet e kësaj zone eksportohen dhe jashtë vendit më së shumti në rajon, Bullgari. Vitet e fundit ka pasur kërkesa të larta në Rusi, Çeki, Poloni, Itali etj. Luleshtrydhet janë një investim i zgjuar pasi në Shqipëri, sipas fermerëve, kanë 3 muaj të plotë prodhim, ndryshe nga disa vende të tjera ku prodhimi zgjat vetëm 15 ditë. Pozicioni i Shqipërisë me detin në perëndim e bën shumë të favorshme klimën për këtë frutë.

Rendimenti mesatar i kësaj kulture është 400 kv/ha dhe për vitin 2021. Sipas fermerëve, prodhimi pritet të arrijë mbi 4000 tonë. Edhe sipërfaqja e mbjellë është në rritje. Sipas vitit të fundit të raportimit nga Ministria të Bujqësisë, 2019, sipërfaqja e mbjellë është rritur me 8%. Ndërsa, prodhimi në 2019 ka pasur rritje me rreth 17%. Fermerët pohojnë se sipërfaqja është shtuar dy vitet e fundit.

Pandemia 

Kultivimi i luleshtrydheve është një biznes i mirë për fermerët. Kërkesa për këtë produkt është e lartë dhe klima e ndihmon kultivimin e luleshtrydhes në vend. Teksa z. Vrushti pohon se gjatë pandemisë, dy muaj e gjysmë u ndalua gjithçka dhe kjo gjë penalizoi tregtinë me jashtë kryesisht, fermerët e vegjël në fshatin Kafaraj thanë se, janë përballur me vështirësi.

Astrit Lanaj, fermer prej shumë vitesh në atë zonë, i cili punon bashkë me familjen, pohon se pandemia pati ndikim të madh në të mbjellat e tre muajve.

“E para, paqartësia e krijuar në mars të vitit të shkuar ndali gjithçka. Çfarë nisëm të mblidhnin, e dërguam për tregun e brendshëm te pikat e grumbullimit dhe të shpërndarjes. Kur rinisi aktiviteti disa muaj më vonë, sigurisht pati më pak fitim për ne dhe familjen, Situata ishte e ngjashme edhe për fermerët e tjerë të zonës” – thotë Astriti.

Pavarësisht vështirësive të pandemisë dhe dimrit të ftohtë vitin e kaluar, fermerët pohojnë se e kultivuan sërish luleshtrydhen, dhe prodhimi ishte i mbarë. Por nuk thonë të njëjtën gjë për çmimin, që sipas tyre, luleshtrydhja vijon të jetë e nënçmuar.

Fermerët e zonës Karafaj, thonë se nuk kanë marrë asnjë ndihmë, përkundrazi janë munduar vetë t’i rikuperojnë dëmet nga mungesa e tregtisë dhe skarciteti i mallit të pashitur. Një pjesë e tyre është dërguar për industri, në përgatitjen e reçeleve. Në lidhje me dëmshpërblimet për shkaqe klimatike, fermerët pohojnë se 2015-a ka qenë viti i fundit kur janë dëmshpërblyer. Ndërsa për situatat e këtij viti, nuk kanë pasur mbështetje nga qeveria lokale.

Ata rikujtojnë se, luleshtrydhja është lokalizuar vetëm në Fier dhe se vëmendja e autoriteteve lokale duhet të jetë e fokusuar aty. Astriti pohon se, potenciali është i madh, përveç fermerëve shqiptarë, investimet e huaja vijojnë të jenë të pranishme, sidomos nga italianët. Eksporti shihet me sy më largpamës, duke marrë parasysh se tregje si Rusia kanë kërkesa të larta për luleshtrydhen shqiptare, pasi bëhet fjalë për një kulturë që ata vetë nuk e kultivojnë dot prej klimës.

Tregtarët, të cilët janë edhe ndërlidhja kryesore mes prodhuesit dhe konsumatorit, thonë se në krahasim me vitin e kaluar, kjo periudhë ka pasur më shumë prodhim dhe çmimi është më i ulët. Një tregtar në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë thotë se ai shkon dhe furnizohet vetë në Fier dhe këtë vit, ka konstatuar se çmimi i produktit është më i ulët.

“Marr një arkë rreth 500 lekë, krahasuar me 700 të dy viteve të fundit dhe 1 kg luleshtrydhe këtë vit e kam tregtuar me 80-100 lekë. Kërkesa ka pasur edhe këtë vit, por një pjesë e mirë na prishet dhe detyrohemi të ulim çmimin që ta blejnë amvisat për përgatitje reçeli”, – thotë tregtari në zonën e Komunës së Parisit.

Importi nga Greqia vijon të mbetet shkak për dëmtim të fermerëve vendas. Astrit Lanaj i bën thirrje shtetit që të mbështesë dhe të nxisë prodhimin vendas, si dhe të kufizojë importet, sepse fermerët dëmtohen në këtë mënyrë. “Prodhimi grek na dëmtoi, sepse tregtohet me bursën europiane dhe zhbalancoi çmime në treg. Në maj, 1 kg luleshtrydhe shkoi 100 lekë nga minimalisht 200 lekë që duhet të ishte që të nxirrnim kostot tona”- shprehet Astriti.
Biznes familjar 

Për shumicën e banorëve në zonën e Kafaraj, puna në serën me luleshtrydhe mbetet si mundësia e vetme e punësimit. “Kam 4 vite që punoj. Jam kthyer nga emigracioni në Greqi. Tentova të punoja në tokat e mia, duke mbjellë sera me domate, por prodhimi nuk eci. Puna në këto sera është mënyra e vetme për të mbijetuar në të tilla kushte ekonomike. Nëse nuk ecën luleshtrydhja në zonë, ne rrezikojmë të mbetemi pa punë”, thotë Lulzim Zutaj, pronar i një sere në Kafaraj.

Tregtarët në Tregun Industrial në kryeqytet pohojnë se prodhimi është i bollshëm, mirëpo kërkesat e tregut të brendshëm janë në rënie. “Situata është përkeqësuar. Së pari, prej mitit që qarkullon ende për hormonet, gjë që ndikoi negativisht edhe në punën tonë. Sot, prodhimin, pasi e marr nga fermeri e çoj në treg, me shpresën që ta shes të gjithin, me të cilat më duhet të mbaj familjen. Punoj prej vitesh në këtë zanat. Më parë, ky produkt gjente shitje të madhe në fabrikat e përpunimit për prodhim reçeli. Por këtë vit s’kemi pasur kërkesa. Kemi dëgjuar se për industri kërkojnë më shumë jashtë”, thotë Bardhyli, tregtar.
Gjeografia e prodhimit

Për herë të parë në 2018, luleshtrydhja është mbjellë vetëm në Qarkun e Fierit. Tradita vijon të mbetet e njëjtë. Ndryshe nga viti 2017 dhe vitet paraardhës, ku gjeografia e prodhimit përfshinte edhe rrethe si Lushnja, që ishte e dyta pas Fierit me 14% të prodhimit, ose e shprehur në peshë, ky qark prodhoi 391 tonë luleshtrydhe. Të tjera qytete ishin Durrësi (15 tonë), Dibra (5 tonë), Elbasani (3 tonë).

Shifrat e Ministrisë së Bujqësisë tregojnë se në 2019 (viti i fundit i raportimit), në Rrethin e Fierit u mbollën 121 ha me rrënjë luleshtrydhe, nga të cilat rendimenti ka qenë 436 kv/ha.

I gjithë Qarku i Fierit ka prodhuar më shumë se 5 mijë tonë luleshtrydhe në 2019, të cilat kanë shkuar për konsum vendas, eksport dhe përpunim (kryesisht për reçel), sipas fermerëve.

Fermerët e zonës Kafaraj tregojnë se shifrat që raportohen për konsum familjar janë shpesh sasia që prishet ose mbetet stok dhe nuk tregtohen. Ata shtojnë se, viti më i mirë për tregti dhe eksport, është padyshim 2021 dhe sezoni ende nuk ka mbaruar./Burimi: Monitor