Këtu do të gjeni Pyetje- Përgjigjet më të shpeshta dhe sipas specifikave të natyrës teknike, ligjore, grupeve të interesit, etj, të cilat do të përditësohen, në faza të ndryshme të zbatimit të projektit të Fiskalizimit.
Pyetjet – përgjigjet më të shpeshta:
1- Çfarë është fiskalizimi?
Fiskalizimi është një tërësi masash që përdoren për të zvogëluar evazionin fiskal në transaksionet me dhe pa para në dorë. Në procesin e fiskalizimit, të gjitha transaksionet (faturat) raportohen në kohë reale në Administratën Tatimore. Për efekt të identifikimit dhe gjurmimit të çdo transaksioni, çdo fature i jepet numri identifikues i veçantë i faturës (NIVF).
2- Kush do të jetë subjekt i fiskalizimit?
Në zbatim të Ligjit Nr. 87/2019, datë 18.12.2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, botuar në Fletoren Zyrtare Nr. 3, datë 20.01.2020, subjekt i fiskalizimit të faturës do të jenë:
- të gjithë tatimpaguesit që lëshojnë faturë, sipas këtij Ligji dhe legjislacionit në fuqi për tatimin mbi vlerën e shtuar;
- organet publike;
- bankat, institucionet financiare jobankare dhe subjekte të tjera, që ofrojnë shërbime pagesash të faturave elektronike.
3- Si do të dërgohen në Administratën Tatimore të dhënat e pajisjes fiskale për transaksionet me para në dorë?
Mënyra e dërgimit dhe proceset që kryhen për dërgimin e të dhënave në Administratën Tatimore dhe lëshimin e faturës janë si më poshtë:
- Tatimpaguesi nëpërmjet zgjidhjes softuerike dërgon mesazh në serverin e Administratës Tatimore, me të dhëna në formatin XML, në lidhje me transaksionin (faturën e lëshuar).
- Serveri i Administratës Tatimore i dërgon tatimpaguesit konfirmimin e marrjes së faturës duke i dhënë kësaj fature kodin unik (NIVF – Numri Unik Identifikues i Faturës).
- Tatimpaguesi i lëshon klientit faturën e printuar (e cila përfshin NIVF-në).
Regjistrimi dhe dërgimi i faturës pranë Administratës Tatimore mund të verifikohet duke skanuar kodin QR në faturë. Konsumatori mund të verifikojë faturën e tij/saj, po ashtu edhe tatimpaguesi mund të verifikojë blerjet e regjistruara në emrin e tij.
