BIZNESI: Pyetje-përgjigje mbi Fiskalizimin…

Këtu do të gjeni Pyetje- Përgjigjet më të shpeshta dhe sipas specifikave të natyrës teknike, ligjore, grupeve të interesit, etj, të cilat do të përditësohen, në faza të ndryshme të zbatimit të projektit të Fiskalizimit.

Pyetje – Përgjigjet teknike:

1- Cili është afati për ngarkimin e faturave nëse nuk ka internet, apo paisja fiskale ka pësuar defekt?

  • 48 orë nëse lidhja në internet paraqet probleme.
  • Në rast të mosfunksionimit të pajisjes fiskale, tatimpaguesi që lëshon fatura është i detyruar brenda pesë ditëve nga dita kur pajisja fiskale ka pësuar defekt, ta riparojë atë, ose ta  zevendësojë me një pajisje të re.

2- Si do të kryhet aplikimi për çertifikim? Cilat janë hapat që do të ndiqen?
Të gjitha aplikimet që do t’u ofrohen tatimpaguesve në tregun shqiptar duhet të kalojnë procesin e çertifikimit të kryer nga AKSHI. Udhëzimet për këtë proces të çertifikimit (cilat hapa dhe si do të kryhet çertifikimi) do të publikohen në faqen web të projektit të Fiskalizimit.

3- Si kryhet procedura e anulimit të një fature? Aktualisht shuma negative në anulim nuk është e mundur në ligj.
Teorikisht nuk ekziston  “anulimi i një fature”, por duhet të lëshohet një faturë korrigjuese (ose faturë e kthimit). Fatura korrigjuese përmban numër reference të faturës origjinale që korrigjohet,  për të cilën  sistemi  gjeneron një mesazh të veçantë dhe i dërgohet Administratës Tatimore për fiskalizim. Kjo faturë korrigjuese përmban vlera negative, nëse të gjithë artikujt duhet të anulohen.

4- Faturat nga telekomi gjenerohen dhe printohen pa ditur se do të paguhen me para në dorë, përmes transferit bankar etj … si zgjidhet kjo në Kroaci dhe vende të tjera?
Kjo lloj fature që ka një urdhër pagese dhe që mund të paguhet nëpërmjet e-banking , në bankë ose mënyra të ngjashme, trajtohet si transaksion pa para në dorë  dhe mbi “mënyrën e pagesës” duhet të shkruhet “urdhër- pagese”.

5- Si do të kryhet fiskalizimi për shitjet në internet dhe dyqanet në internet?
Për të gjitha transaksionet me para në dorë printimi i një fature është i detyrueshëm, përveç shërbimeve elektronike, ose kur furnizimi i mallrave ose shërbimeve është kontraktuar dhe ngarkuar me detyrim për t’u paguar përmes një aplikacioni celular, dyqan në internet, ose të ngjashme. Në këto raste fatura nuk ka pse të printohet në letër , por mund t’i dërgohet blerësit ose marrësit të faturës, me postë elektronike ose si faturë elektronike.