Biznesi shqiptar vazhdon të financohet me borxhe

Biznesi shqiptar financon me burimet e veta më pak se gjysmën e strukturës së bilancit.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kapitali përbën rreth 49% të vlerës së bilancit të sipërmarrjes shqiptare në terma mesatarë, por me luhatje të konsiderueshme mes sektorëve të ndryshëm të marrë në analizë. Për bujqësinë, kapitali përbën 78.5% të kapitalit kundrejt strukturës totale të financimit të bilancit, ndërsa vetëm 11.5% e përbëjnë detyrimet.

Pas bujqësisë, që ka edhe peshën më të lartë të kapitalit në bilanc, industria është i vetmi sektor ku kapitali përbën më shumë se 50% të bilancit është industria, me rreth 50.7%.

Të gjithë sektorët e tjerë kanë një peshë më të ulët se 50% të kapitalit, duke filluar nga ndërtimi, me 39%, informacioni, me 24%, pasuritë e paluajtshme, me 15% dhe në fund sektori i hoteleve dhe restoranteve, me 11%. Të gjithë këta sektorë e financojnë pjesën më të madhe të bilancit kryesisht nëpërmjet detyrimeve.

Në total, huaja bankare përbën mesatarisht rreth 18% të strukturës së financimit të bilancit për bizneset shqiptare. Sipas disa të dhënave nga Banka e Shqipërisë, megjithatë shkalla e përdorimit të huasë për të mbështetur aktivitetin ka diferenca të konsiderueshme mes sektorëve të ndryshëm të ekonomisë. Ndër sektorët e marrë në analizë, ai që ka peshën më të madhe të huasë në strukturën e bilancit (kapital+detyrime) është ai i pasurive të paluajtshme, me 31.5%. Vijon sektori i hotelerisë dhe restoranteve, me 14.2%, ndërtimi, me 11.2%, industria, me 10.6%, informacioni me 9.9% dhe në fund bujqësia, me 6.3%.

Kjo konfirmon atë që sektori i bujqësisë ngelet ai me aksesin më të dobët në kredinë bankare në raport me të gjithë sektorët me peshë të ekonomisë.

Pas huasë bankare, vijon zëri i detyrimeve me furnitorët, që përbën rreth 11% të strukturës së përgjithshme të financimit të bizneseve në ekonominë shqiptare. Peshën më të lartë të detyrimeve furnitorët në bilance e ka sektori i hotelerisë dhe restoranteve, me 30%, i ndjekur nga informacioni me 24% dhe pasuritë e paluajtshme, me 23%. Peshën më të ulët e ka sërish bujqësia, me 5.2%.

Në fakt, sipas analizës së Bankave të Shqipërisë, zëri kryesor në strukturën e detyrimeve është ai që klasifikohet në zërin “Të tjera” dhe që nuk përfshin as huatë bankare dhe as marrëdhëniet me furnitorët. Ky zë përbën rreth 52% të strukturës së financimit të bilancit në terma mesatarë. Pesha më e lartë e këtij zëri regjistrohet në sektorin e hoteleri-restoranteve, me pothuajse 45%, e ndjekur nga informacioni, me 41% dhe ndërtimi, me 31%. Peshën më të ulët të detyrimeve të tjera e ka gjithmonë bujqësia, me 10%.

Megjithëse ky zë nuk detajohet, mund të vlerësohet se ai përfshin huamarrje jashtë institucioneve financiare apo detyrime me palë të tjera.