Bordi ekzekutiv i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) miratoi një marrëveshje paraprake 24-mujore në shumëm prej rreth 100 milionë euro në mbështetje të politikave ekonomike të Kosovës, duke e bërë vendin e parë në Europë që merr një financim të tillë. Gjithashtu, Bordi miratoi edhe një marrëveshje tjetër në kuadrin e Lehtësimit dhe Rezistencës së Qendrueshme (RSF) prej rreth 78 milionë euro
Sipas FMN, pas një rikuperimi të fortë nga pandemia COVID-19, rritja u moderua në vitin 2022 dhe inflacioni u përshpejtua në nivele dyshifrore kryesisht për shkak të rritjes së çmimeve ndërkombëtare të mallrave të shkaktuara nga lufta e Rusisë në Ukrainë. Goditja negative e kushteve të tregtisë ndikoi negativisht në të ardhurat e disponueshme të familjeve dhe përfitimin e biznesit. Përthithja e ulët e investimeve publike dhe kushtet më të shtrënguara financiare kontribuan gjithashtu në rritjen më të dobët. Autoritetet e zbutën siç duhet tronditjen, ndërkohë që rindërtonin rezervat fiskale dhe ato ndërkombëtare. FMN vëren se, sektori financiar ka përballuar mirë goditjet e njëpasnjëshme dhe kreditë me probleme mbeten të ulëta.
Programi i mbështetur nga FMN do të zbusë materializimin e rreziqeve dhe mbështesë reformat strukturore për të forcuar qeverisjen fiskale dhe financiare për të vazhduar rritjen. Marrëveshje në fjalë do të zgjerojë hapësirën fiskale të Kosovës për zbutjen e ndryshimeve klimatike dhe përpjekjet për përshtatje; do të shfrytëzojë sinergjitë me mbështetje të mëtejshme zyrtare, si dhe do të ndihmojë në kanalizimin e investimeve private në energjinë e gjelbër.
Sipas FMN, politikat e kujdesshme fiskale të autoriteteve dhe kuadri mbështetës ndihmuan në rindërtimin e hapësirës fiskale duke zbutur ndikimin e krizës së kostos së jetesës. Respektimi i tavanit të deficitit do të ofrojë një impuls të moderuar të aktivitetit në vitin 2023, ndërkohë që do të kontribuojë në ankorimin e borxhit publik në periudhë afatmesme.