Bordi i Transparencës ul sërish çmimet e karburanteve, bien nafta dhe benzina


Bordi i Transparencës ka vendosur sërish ulje të çmimeve të karburanteve në vend, duke reflektuar ndryshimet e fundit në tregjet ndërkombëtare.

Sipas vendimit të marrë në mbledhjen e datës 20 maj 2026, çmimi i naftës është ulur me 3 lekë për litër, ndërsa ai i benzinës me 1 lek për litër. Çmimet e reja do të hyjnë në fuqi sot, orën 18:20, dhe do të mbeten të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit.

Sipas njoftimit zyrtar:

  • Nafta (gazoil) do të shitet me pakicë me një çmim maksimal prej 202 lekë/litër, ndërsa me shumicë jo më shumë se 190 lekë/litër.
  • Benzina do të tregtohet me pakicë me një çmim maksimal prej 188 lekë/litër, ndërsa me shumicë deri në 176 lekë/litër.

Bordi ka tërhequr vëmendjen e operatorëve të tregtimit të karburanteve për zbatimin e detyrueshëm të këtij vendimi, duke paralajmëruar se në rast shkeljesh do të aplikohet pezullimi i aktivitetit.

Në njoftim sqarohet gjithashtu se, bazuar në Aktin Normativ nr. 1, datë 3 prill 2026, niveli i reduktuar i akcizës prej 80% aplikohet vetëm kur çmimi i naftës tejkalon 220 lekë/litër ose ai i benzinës 200 lekë/litër.

Meqenëse çmimet e reja janë nën këto kufij, për karburantet do të zbatohet akciza e plotë, në nivelin 100%.

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, deklaron se mbetet e angazhuar për mbrojtjen e konsumatorëve dhe garantimin e konkurrencës së ndershme në treg.



Burimi Monitor.al