Bordi i Transparencës ka vendosur këtë të premte ndryshimin e çmimeve të karburanteve në vend, duke reflektuar një tjetër ulje për naftën dhe benzinën.
Sipas vendimit të ri, çmimi i naftës do të shitet me pakicë jo më shumë se 193 lekë për litër, nga 196 lekë që ishte më parë. Ndërsa çmimi i shitjes me shumicë është përcaktuar në jo më shumë se 181 lekë/litër.
Edhe benzina ka pësuar ulje. Sipas Bordit, ajo do të tregtohet me pakicë deri në 179 lekë për litër, ndërsa me shumicë jo më shumë se 167 lekë/litër.
Vendimi ka hyrë në fuqi më 8 maj 2026, në orën 13:30 dhe do të mbetet në fuqi deri në mbledhjen e ardhshme të Bordit, ku do të rishikohen sërish çmimet sipas luhatjeve të tregut.
Autoritetet u kanë bërë thirrje operatorëve të tregtimit të hidrokarbureve të zbatojnë vendimin, duke paralajmëruar masa ndëshkuese dhe pezullim aktiviteti në rast shkeljesh.
Ndërkohë, sipas sqarimit zyrtar, çmimet aktuale janë nën kufijtë e përcaktuar në aktin normativ për akcizën, ndaj për karburantet do të vijojë të aplikohet niveli i plotë i akcizës, në masën 100%.










