BSH: Ekonomia po i kthehet normalitetit, por punësimi vazhdon të ketë rënie

Ekonomia po kthehet në normalitet, por tregu i punës po shfaq dobësi.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, pas mbledhjes së Këshillit të Mbikëqyrjes, tha se ekonomia shqiptare u rrit me 5.5% gjatë tremujorit të parë, duke tejkaluar pritjet, por pavarësisht këtij përmirësimi, tregu i punës ka shfaqur një ecuri të plogësht në tremujorin e parë.

Ai tha se, niveli i punësimit vijon të mbetet poshtë atij të regjistruar përpara pandemisë, norma e papunësisë u rrit në 11.9%, ndërsa presionet e tregut për rritjen e pagave janë ende të zbehta. Bazuar në ecurinë historike, Banka e Shqipërisë gjykon se rritja e qëndrueshme e punësimit dhe e pagave do të ndjekë me vonesë kohore zgjerimin e kërkesës për mallra e shërbime.

Guvernatori tha se, informacioni i disponuar sugjeron një përshpejtim të fortë të aktivitetit ekonomik në tremujorin e dytë, ndonëse me një normë e cila nuk do të jetë indikative për ritmin e rritjes së mëtejshme të ekonomisë shqiptare.

Në planin makroekonomik, përshpejtimi i rritjes ekonomike ka pasqyruar reduktimin e kufizimeve, si pasojë e përmirësimit të situatës epidemiologjike dhe zgjerimit të vaksinimit, rritjen e besimit të biznesit dhe konsumatorit, përmirësimin e ambientit të huaj, si dhe politikat stimuluese fiskale dhe monetare.

Politika fiskale ka vijuar të ruajë një karakter ekspansionist gjatë gjysmës së parë të vitit. Deficiti buxhetor i kësaj periudhe qëndroi rreth nivelit 3.4% të PBB-së, duke gjeneruar një impuls pozitiv fiskal. Kjo ecuri pasqyroi rritjen me të shpejtë të shpenzimeve në raport me të ardhurat, ndonëse këto të fundit regjistruan një rritje vjetore prej rreth 37% në tremujorin e dytë.

Banka e Shqipërisë e ka konsideruar të domosdoshme natyrën stimuluese të politikës fiskale gjatë pikut të pandemisë. Nga ana tjetër, me përfundimin e emergjencës shëndetësore dhe ekonomike, ne presim një rikthim të vëmendjes së qeverisë drejt konsolidimit të financave publike. Projeksionet tona për të ardhmen faktorizojnë një reduktim progresiv të stimulit fiskal gjatë gjysmës së dytë të vitit dhe periudhës në vijim.

Nga ana e saj, politika monetare stimuluese e Bankës së Shqipërisë ka vijuar të gjenerojë një ambient financiar të qetë, të karakterizuar nga: qarkullimi normal i fondeve në tregje; kosto të ulëta kreditimi; dhe kurs i qëndrueshëm këmbimi.

Kredia për sektorin privat shënoi një rritje mesatare prej 7.7% gjatë tremujorit të dytë, duke vijuar të pasqyrojë një rritje relativisht të shpejtë e të qëndrueshme të kredisë në Lek, të kredisë për qëllime investimi dhe të asaj për blerje banese. Rritja e raportuar e kërkesës për kredi në tremujorin e tretë dhe lehtësimi i kushteve të kreditimit premtojnë një mbështetje të vazhduar me fonde të nevojave për konsum dhe investime. Në këtë kontekst, një rol të rëndësishëm kanë luajtur dhe bilancet në përmirësim të bizneseve shqiptare, të cilat janë pasqyruar në rënien në nivelin 7.1% të raportit të kredive me probleme në muajin qershor.

Përditësimi i parashikimeve në këtë raport tremujor sugjeron një ecuri pozitive të ekonomisë në horizontin afatmesëm, duke riparë për lart projeksionin e ritmit të rritjes ekonomike gjatë vitit aktual. Rritja ekonomike do të mbështetet nga zgjerimi i konsumit dhe investimeve private, si dhe rritja e eksportit të mallrave dhe shërbimeve. Kjo ecuri do të pasqyrojë përmirësimin e besimit të biznesit dhe konsumatorit, normalizimin gradual të aktivitetit ekonomik në vendet partnere, si dhe ambientin e favorshëm financiar në vend. Më tej, rritja e kërkesës agregate do të ndihmojë rritjen e punësimit dhe të pagave, duke krijuar premisa për kthimin e inflacionit në objektiv brenda vitit 2022.

Këto parashikime janë ndërtuar mbi supozimin e: shmangies së kufizimeve të forta mbi aktivitetin ekonomik si pasojë e pandemisë; si dhe të reduktimit të ngadaltë, por progresiv, të stimulit fiskal në horizontin afatmesëm.

Duke gjykuar mbi sa më sipër, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 0.5%.

Këshilli Mbikëqyrës gjykon se rikuperimi ekonomik dhe kthimi i inflacionit në objektiv kërkojnë ruajtjen e kahut stimulues të politikës monetare përgjatë horizontit të parashikimit.