BSH/ Këmbimet e euros ranë me 9% vitin e kaluar, besimi i publikut te Leku është rritur

Banka e Shqipërisë shprehet se kursi i këmbimit të Lekut ndaj Euros gjatë vitit 2020 ishte i qëndrueshëm, i shprehur jo vetëm në nivelin e kursit, por edhe në spread-et e aplikuara nga agjentët dhe në luhatshmërinë e tyre.

Në analizën e Bankës së Shqipërisë, kriza solli rënie të njëkohshme të kërkesës dhe ofertës për valutë dhe volumi i këmbimeve pësoi rënie me 9% krahasuar me një vit më parë. Banka e Shqipërisë nënvizon se tregu vendas ka fituar pjekuri dhe po reagon në mënyrë më të përmbajtur ndaj zhvillimeve të papritura.

Vitin e kaluar, nuk u vërejtën zhvendosje portofoli nga monedha vendase në ato të huaja, një reagim tipik që ka shoqëruar goditjet në ekonomi në të kaluarën. Sipas Bankës së Shqipërisë, kjo reflekton rritjen e besimit të agjentëve ekonomikë dhe të publikut të gjerë në monedhën vendase.

Si e vlerësoni ecurinë e kursit të këmbimit të Lekut me Euron dhe me valutat kryesore të huaja vitin e kaluar?

Ecuria e kursit të këmbimit kundrejt Euros ka qenë e qëndrueshme në vitin 2020, aq më tepër gjykuar në kontekstin e goditjes me të cilën ekonomia jonë u përball që në fillim të tij. Gjatë këtij viti, Euro është tregtuar me mesatarisht 123.8 lekë/euro, kundrejt mesatares prej 123.0 lekë/euro në vitin 2019, me një mbiçmim prej 0.7%. Qëndrueshmëria ka karakterizuar jo vetëm nivelin e kursit të këmbimit, por edhe treguesit teknikë që masin stresin dhe primet e rrezikut e të pasigurisë në të, siç janë spread-et e tregtimit dhe luhatshmëria.

BURIMI: BSH

Ecuria e Dollarit Amerikan në tregun vendas ka reflektuar dobësimin e tij kundrejt Euros në tregun ndërkombëtar, ku kursi Eur/USD u rrit nga niveli 1.12 USD/euro në fillim të vitit, në 1.22 USD/euro në fund të tij. Dollari Amerikan është dobësuar me 7.1% në këmbimin me lekun, prej rreth 108.5 lekë fund të vitit 2019 në rreth 100.8 lekë në fund të vitit 2020, duke shënuar nivelet më të ulëta prej muajit mars 2014.

Përjashtim nga kjo ecuri bën goditja e fundit të muajit mars, me përhapjen e pandemisë në vend, e cila solli një nënçmim të dukshëm të lekut. Ky episod ishte gjithsesi afatshkurtër, falë edhe reagimit të shpejtë dhe të përshtatshëm të Bankës së Shqipërisë, dhe tregu u rikthye në normalitet brenda muajit prill.

Pse, në gjykimin tuaj, kriza nuk solli nënçmim të monedhës vendase në kursin e këmbimit me euron?

Ecuria e faktorëve makroekonomikë pas goditjes nga pandemia diktoi një rënie të njëkohshme të ofertës dhe të kërkesës për valutë, çka përcaktoi qëndrueshmërinë e lekut në një nivel vetëm lehtësisht më të ulët krahasuar me një vit më parë. Mbyllja e ekonomisë sonë dhe e vendeve partnere shkaktoi rënie të shkëmbimeve tregtare, që u materializua fillimisht në suficit të balancës tregtare.

Nga ana tjetër, ndonëse flukset e turizmit rezultuan më të pakta, as llogaria kapitale dhe as ajo financiare nuk pësuan goditje të mirëfilltë, duke përmbushur nevojat për financim të huaj të ekonomisë. Së fundi, edhe tregu vendas ka fituar një nivel pjekurie vitet e fundit, duke reaguar në mënyrë më të përmbajtur ndaj zhvillimeve të papritura dhe duke ulur inercinë e këtyre reagimeve. Kjo reflekton rritjen e besimit të agjentëve ekonomikë dhe të publikut të gjerë në monedhën vendase – gjatë këtij viti nuk u vërejtën zhvendosje portofoli nga monedha vendase në ato të huaja, një reagim tipik ky që ka shoqëruar goditjet në ekonomi në të kaluarën.

Cilët ishin faktorët që amortizuan efektin e krizës në kursin e këmbimit valutor?

Sikurse u përmend më lart, kërkesa dhe oferta për valutë gjatë vitit që lamë pas rezultoi e balancuar. Suficiti i bilancit tregtar në pjesën më të madhe të vitit, si dhe hyrjet e valutës për financimin e shpenzimeve të shtuara të qeverisë nëpërmjet eurobondit dhe huamarrjes nga FMN, ishin faktorët kryesorë që ndikuan në mospasjen e një goditjeje të qëndrueshme në vlerën e lekut. Nga ana tjetër, një treg më i konsoliduar/pjekur krahasuar me periudhat e mëparshme në të cilat kemi pasur goditje, ndihmoi në reagime të përmbajtura me natyrë psikologjike.

GELDTrade.al