BSH/Përmirësim i aktivitetit ekonomik, “Rritje e punësimit dhe e pagave”

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko bëri të ditur sot se “aktiviteti ekonomik ka ardhur në përmirësim gjatë gjysmës së dytë të vitit të shkuar, pavarësisht vështirësive të shkaktuara nga pandemia”.

Pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, Sejko tha se ky përmirësim ka qenë më i shpejtë se pritjet e Bankës së Shqipërisë.

“Përmirësimi i aktivitetit ekonomik u pasqyrua dhe në treguesit e punësimit. Punësimi u rrit me rreth 34 mijë persona gjatë tremujorit të tretë, duke rikuperuar rreth 2/3 e humbjeve të regjistruara në tremujorin paraardhës, ndërsa norma e papunësisë zbriti në 11.6 %”, theksoi Sejko.

“Përditësimi i parashikimeve tona sugjeron se kërkesa agregate do të vijë në rritje dhe se aktiviteti ekonomik do të vijë gradualisht drejt normalizimit gjatë dy viteve në vazhdim. Ky normalizim do të shoqërohet me rritje të punësimit, të pagave të punonjësve dhe të marzheve të fitimit të biznesit, çka do të krijojë premisa për kthimin e inflacionit në objektivin tonë prej 3 % brenda vitit 2022”, deklaroi Guvernatori.

Ai vuri në dukje se ndikimi negativ i pandemisë vazhdon të jetë i pranishëm, si në treguesit makroekonomikë, ashtu edhe në treguesit e shëndetit financiar të bizneseve dhe familjeve.

“Skenari ynë bazë i zhvillimeve të pritura është ndërtuar mbi supozimin e zbutjes graduale të masave të marra për kontrollin e pandemisë dhe reduktimin progresiv të pasojave të saj. Në këtë skenar, ekonomia shqiptare pritet të shënojë norma relativisht të shpejta dhe të qëndrueshme rritjeje gjatë dy viteve në vijim”, deklaroi Guvernatori.
GELDTrade.al