BSH: Rritet kërkesa për kredi dhe depozita

Banka e Shqipërisë në raportin e politikës monetare për tremujorin e dytë të këtij viti vë theksin te rritja e ndjeshme e kërkesës për financim nga individët gjatë tre muajve të parë të vitit, pas një rënie prej 5 tremujorësh me radhë. “Shtimi i  kërkesës  së  individëve  për  financim  nga  bankat  u  përcaktua  nga  nevojat  më  të  larta  për  financimin  e  konsumit  e  të  blerjes  së  banesave,  si  edhe  nga  një  klimë më e përmirësuar e besimit konsumator. Analiza  mbështetet  në  Vrojtimin  e  Aktivitetit  Kreditues,  i  cili  kryhet  me  periodicitet  tremujor”-nënvizon Banka e Shqipërisë me rreshtave. Ndërkohë kërkesa për kredi nga bizneset vijon të mbetet në territor negativ që prej tremujorit të fundit të vitit 2019, ndryshe nga segmenti individ.

Sa i përket depozitave bankare ndërkohë, ato kanë vijuar të shënojnë rritje të qëndrueshme në tremujorin e parë të vitit. “Ndryshimet absolute të stokut të depozitave tregojnë për zgjerim me rreth 12 miliardë lekë që nga muaji dhjetor, ose rreth 7% mesatarisht në terma vjetorë. Zgjerimi i depozitave është mbështetur gjerësisht nga ecuria e mirë  e  depozitave  në  lekë,  të  cilat  kontribuuan  me  rreth  4  pikë  përqindjeje  në  këtë  rritje.

Krijimi  i  parasë  në  lekë  ka  vijuar  të  mbështetet  nga  zgjerimi  i  kredidhënies në monedhë vendase, si dhe nga shpenzimet e larta të qeverisë. Në terma vjetorë, stoku i depozitave në lekë shënoi një rritje me rreth 8.3%, duke  reflektuar  kryesisht  rritjen  e  depozitave  të  individëve. Depozitat  në  valutë janë zgjeruar gjithashtu me ritme të qëndrueshme, rreth 5.6% në terma mesatarë  vjetorë  në  tremujorin  e  parë  të  vitit”-nënvizon institucioni në raportin e politikës monetare për tremujorin e parë të këtij viti.