Bujqësia 2024, mes qëndrimit në vendnumëro dhe rënies

Fermerët, blegtorët, eksportuesit dhe ekspertët e bujqësisë nuk janë optimistë për vitin 2024. Kostot e larta, braktisja e fshatit, ulja e mbështetjes buxhetore do të vijojë të thellojë rënien në blegtori dhe prodhimin e fushës. Serrat, më optimiste

Në sfond të potencialit të lartë për rritje, sektori i bujqësisë do të përballet me vështirësi në vitin 2024, teksa në 9-mujorin 2023, prodhimi ishte në rënie, sipas të dhënave zyrtare.

Prodhimi bujqësor parashikohet të jetë me ulje ose të qëndrojë në vendnumëro në vitin 2024.

Fermerët që kultivojnë në serra janë më optimistë dhe më të motivuar, për shkak të rritjes së kërkesës në eksport dhe çmimeve më të larta, ndërsa prodhimi në fushë mbetet i rrezikuar nga pakësimi i popullsisë rurale dhe ndryshimet klimatike, që janë shndërruar në një rrezik të madh.

Sektori i blegtorisë pritet të vijojë rënien në krerë edhe në vitin 2024, teksa eksportet janë të varura nga prodhimi i ulët dhe cilësia.

Serrat optimiste, prodhimi në fushë në rënie

“Ne jemi optimistë për vitin 2024, pasi këtë vit janë shtuar sipërfaqet e serrave që do të mbillen. Në vitin 2024 do të kemi më shumë prodhim. Kulturat që do të dominojnë janë domatja dhe kastraveci me gjemba, por nuk përjashtohen dhe shumëllojshmëritë e specit”, – tha Mariglen Ziu, i cili zotëron një serrë rreth 1 hektar në zonën e Samaticës në Berat.

Z. Ziu tha se, prodhimi në serra mbetet i rrezikuar nga luhatja e lartë që kanë çmimet e grumbullimit në pikun e prodhimit. Çmimet ndryshojnë orë pas ore duke u krijuar prodhuesve shumë shpesh humbje. Gjatë vitit 2023 (11-mujori) eksportet bujqësore në sasi qëndruan në vendnumëro.

Por mbjelljet e fushës nuk pritet të ndjekin të njëjtin trend. Nevion Telha, agronom, ekspert i bujqësisë në rajonin e Korçës thotë se ka interes për të rritur kultivimin në disa kultura si patatja, qepa, domatja, speci etj., për shkak të qëndrueshmërisë në çmimet e grumbullimit.

Por në zonën e Korçës, e cila ka një traditë të mirë në bujqësi dhe frutikulturë, mungesa e fuqisë punëtore në fshat po pengon zgjerimin e prodhimit. Këto mungesa kanë krijuar kostot te fermerët. “Të rinjtë e fshatrave po ikin në Gjermani për paga më të larta”, – tha z. Telha.

Prodhimi vendas ishte i pakët, teksa nga ana tjetër, kërkesa ishte më e lartë se zakonisht nga zgjerimi i eksporteve dhe turistët.

Çmimet e zarzavateve, kryesisht qepët dhe patatet, u rritën më shumë se 25% vitin e kaluar dhe aktualisht, një pjesë e nevojave në tregun vendas po mbulohen me import.

Mbjellja në fushë po shkon drejt konsolidimit, ku po falimentojnë fermat familjare, për shkak të emigracionit dhe plakjes së popullsisë.

Nga ana tjetër, po zgjerohen fermat e organizuara si biznese. Ilir Pilku, ekspert i sektorit të bujqësisë, thotë se buxheti për Ministrinë e Bujqësisë, për vitin 2024, në shumën e 14.1 miliardë lekë, nuk është premtues për një rritje të prodhimit bujqësor dhe eksporteve gjithashtu.

Ky buxhet nuk arrin të përmbushë kërkesat e këtij sektori në lidhje me: 1). Subvencionimin e të gjithë sektorëve të bujqësisë dhe mbulimin me buxhet shteti të boshllëkut nga mosaksesimi i fondeve IPARD-3;

2). Ngritjen apo rivitalizimin e sektorit blegtoral;

3) Financimin e investimeve që mitigojnë rrezikun klimatik;

4). Inovacionin dhe promovimin e të rinjve në bujqësi;

5). Rritjen e investimeve në kanale vaditëse dhe kulluese, etj.” – tha z. Pilku.

“Pranvera do të ketë rritje të vogël në eksporte vetëm për prodhimet e serrave, si domate, spec, kastravec. Kultivimi i bostanit do jetë problem, se vendet kryesore prodhuese po shtojnë sipërfaqet, kështu që dhe ne do ta shtojmë për shkak se pati kërkesa këtë vit në BE, dhe mund të kemi mbiprodhim”, thotë Alban Cakalli, fermer në zonën e Mamurrasit.

Blegtoria do të vijojë rënien

Sektori i blegtorisë do të vijojë rënien edhe në vitin 2024, edhe pse, çmimet e prodhimeve dhe mishit janë rritur dukshëm dhe kërkesa është e lartë. “Rënia do të vijë pasi gjithnjë e më pak ose aspak njerëz zgjedhin të merrem me fermat e kafshëve”, – thotë Gerta Loku, e cila zotëron një fermë me 200 krerë dhi të racës së vendit në zonën e Mirditës.

Blegtorët pohojnë se rënia do të jetë më e fortë për fermat e vogla familjare që po reduktohen prej rënies së popullsisë në fshat. Të dhënat zyrtare tregojnë se numri i bagëtive ka rënë me 20% gjatë 2021-2022 dhe pritet që të vijojë edhe në vitin 2024.

Ervin Resuli, i cili zotëron një fermë gjedhi dhe njëkohësisht është njohës i mirë i sektorit, tha se blegtoria po kalon një periudhë tepër të vështirë dhe kjo për shumë faktorë!

Së pari, mbështetja me fonde publike (subvencione) ka qenë ndër vite e vogël nga qeveritë, fatkeqësisht kjo vazhdon ende, shto këtu që gjatë 2024 do të kemi dhe mungesën e skemës mbështetëse të IPARD.

Së dyti, industria e përpunimit nuk jep një çmim për qumështin e fermerëve që ta bëjë sektorin e blegtorisë fitimprurës.

Gjatë 2023, çmimi nga fabrikat ishte në rënie dhe kjo ka sjellë humbje të interesit për mbarështimin e gjedhit për qumësht. Qumështi i lopës në fermë, nën 90 lekë të reja për litër, është mohim për ekzistencën e blegtorisë në Shqipëri.

Ai tha, se zhvillimet në vitin 2024, në sektorin e blegtorisë, do të jenë shumë në varësi të zbutjes së kostove, nëpërmjet skemës kombëtare që qeveria mund të vërë në dispozicion. Po ashtu, edhe industria e qumështit duhet të rrisë çmimin dhe të ulë normën e tyre të fitimit, që blegtoria të mbijetojë apo të mos kemi këtë trend në rënie.

Alban Çakalli, që në fermën e tij mban edhe kafshë, tha se blegtoria do të pësojë rënie, sidomos të imtat. “Delet dhe dhitë po shiten çdo ditë, shkak është kostoja e lartë dhe boshatisja e fshatrave nga faktorë të ndryshëm.

Te gjedhët po pakësohet numri, por po investojnë të raca më produktive.

Shkatërrimi i blegtorisë në tre vitet e fundit po jep rezultat të mirë te këta që kanë mbetur. Në krahasim me rajonin, nuk bëhemi dot konkurrues, dhe shpesh importi i mishit dhe bulmetit e sfidon prodhimin vendor, kjo gjë vjen si rezultat i mossubvencionimit të jonxhës, misrit, elbit, sojës etj.” – tha ai.

Bujqësia me rënie në 2023

Që nga fillimi i dekadës së kaluar, ritmet e rritjes së bujqësisë janë frenuar në mënyrë të vazhdueshme, por dy vitet e fundit, sektori më i madh i ekonomisë ka hyrë në trendin e rënies.

Të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se, në tremujorin e tretë të këtij viti, prodhimi në sektorin bujqësor shënoi rënie me 0.4%. Kjo ishte rënia më e madhe që nga tremujori i katërt 2021 kur moti i keq dëmtoi prodhimin e sezonit.

Vitin e kaluar, bujqësia qëndroi në vendnumëro, teksa ekonomia e vendit u rrit me 4.86%. Këtë vit, pritshmëritë janë që PBB-ja e vendit të zgjerohet me rreth 3.7%, por për 9-mujorin, sektori paraqitet në rënie.

Pagat në bujqësi duket se do të vijojnë rritjen, të nxitura nga mungesa e theksuar e punonjësve në fshat. Aktualisht, një punonjës paguhet 2000-2500 lekë në ditë, nga 15 lekë që ishte paga në vitin 2021. Presionet për rritje do të jenë të pranishme edhe në 2024, por kjo do të cenojë të rrisë kostot për sektorin, pasi bujqësia është sektori më pak produktiv i ekonomisë.

Fshati është zbrazur nga emigracioni dhe lëvizjet e brendshme. Ministria e Bujqësisë pret të rrisë numrin e të punësuarve në këtë sektor në 568 000 të punësuar në vitin 2026, nga 565,954 vitin e kaluar. Shumica e të punësuarve në sektor janë pa pagë pasi vetën 80 mijë fermerë në të gjithë vendin paguajnë sigurime.

Vetëm Shqipëria spikat si një vend në rajon me nivel të ulët të mbështetjes për bujqësinë, e cila në të njëjtën kohë është sektori me peshën më të madhe në PBB-së me rreth 19% të saj./Monitor