Bujqësia shqiptare, pa mbrojtje, nën “thundrat” e klimës

Në dekadën e fundit, fenomenet ekstreme të klimës me përmbytje, thatësira dhe zjarre, janë bërë të përvitshme, ndryshe nga e shkuara, ndërkohë që emergjencat për Mbrojtjen Civile janë duke kaluar një tranzicion kompetencash ndërmjet pushtetit qendror dhe lokal, duke i çuar pasojat te mosmenaxhimi i situatave.
Ekspertët nga Universiteti Bujqësor i Tiranës pohojnë se, prodhimi do të ulet me 10% në tre dekadat në vijim, prej ndryshimeve klimatike, ndërsa japin këshilla për ndërhyrje në të gjitha zonat e vendit, për kulturat që dëmtohen. Mijëra hektarë të përmbytura gjatë pranverës në Shkodër dhe 1200 hektarë të përmbytura së fundmi në Jug do të ndikojë direkt në uljen e prodhimit dhe në varfërimin personave të prekur.

Ministria e Bujqësisë raportoi se reshjet e fundit përmbytën 1200 hektarë tokë në Jug, shumica e të cilave ishin të mbjella, diku me serrë, grurë dhe jonxhë e foragjere për blegtorinë. Këto përmbytje nuk do të ndikojnë negativisht vetëm në buxhetet e fermerëve, por në të gjithë ekonominë e vendit, me rënie të prodhimit bujqësor për sezonin tjetër. Kjo do të sjellë çmime më të larta në pranverën e vitit 2022 dhe do të ndikojë negativisht eksportet, ashtu siç ndodhi edhe në vitin 2017.

Që kur njerëzimi ka nisur të kultivojë bazën ushqimore në fushë, faktori klimatik kanë qenë kyç për rendimentin, por në dy dekadat e fundit, ngjarjet ekstreme të motit janë shtuar shumë dhe dëmet janë të mëdha.

Nga ana tjetër, Shqipëria ka kapacitete të kufizuara, si në emergjencat civile për t’u bërë ballë fatkeqësive natyrore dhe nuk ka kapacitete financiare të mjaftueshme për të siguruar mbrojtje për fermerët ndaj ndikimeve të klimës.

Ekspertët e ekstensionit të bujqësisë kanë evidentuar zgjatje të thatësirës, ndryshime më të shpeshta të temperaturës, përmbytjet, reshje të parakohshme dhe madje edhe ngrica mbi nivelin mesatar të 10 viteve të fundit. Shumica e të anketuarve mendojnë se të tilla dukuri shkaktohen nga ndryshimet klimatike. Profesionistët e bujqësisë dëshmojnë ndikim të lartë të klimës, sidomos në sëmundjet e bimëve (prevalenca e rritur) dhe në uljen e rendimentit.

Fermat shqiptare, përveç ashpërsimit të ndikimeve klimatike, vuajnë edhe nga mungesa e mbështetjes shtetërore, copëzimi i lartë, mungesa e lidhjes me tregjet dhe për rrjedhojë, edhe fitimet e ulëta.