Butrinti turistik u popullua nga turistët e huaj këtë fundjavë

Qyteti antik i Butrintit, 20 km larg Sarandës priti këtë fundjavë grupet e para turistike.

Turistët shijuan një itinerar interesant turistik mes rrënojave të qytetërimeve të lashta dhe peizazhit fantastik, që ky park ofron në çdo stinë.

Gjatë vitit 2023 ky park u vizitua nga 52 924 turistë, nga të cilët 29 244 janë vendas dhe 23 680 të huaj. Turistët e huaj ishin kryesisht nga Italia, Franca, Gjermania, Ukraina etj.

Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektarësh dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit. Ai është ngritur në këndin juglindor të gadishullit të Ksamilit.

Arkeologjia e këtij qyteti antik, evidenton trashëgiminë që kanë lënë kultura të ndryshme në të kaluarën: grekët, romakët, bizantinët, venedikasit, turqit, francezët dhe osmanët, të cilët panë te Butrinti një zonë strategjike për të zgjeruar influencën e tyre. Mbretër, pushtues, princër, mendimtarë, arkeologë dhe historianë kanë gjetur në rrënojat e qytetit një simetri të historisë së njerëzimit.