Buxheti për bujqësinë, fondet në dispozicion janë 6 herë më pak nga nevojat

Bujqësia do të ketë më shumë para’ në dispozicion vitin e ardhshëm. Sipas buxhetit të miratuar në parim, sektorit ku punon e jeton rreth 40 për qind popullsisë do t’i jepen 120 milionë euro, duke u rritur me rreth 11 për qind në krahasim me këtë vit.

Pjesa më e madhe e këtij fondi do të shkojë për zhvillimin rural për të cilin parashikohet të shpenzohen mbi 73 milionë euro, ndjekur nga siguria ushqimore, ujitja e kullimi, këshillimi i fermerëve, peshkimi, planifikimi i politikave agrare e menaxhimi i tokës bujqësore.

Ndërkohë, në paketën fiskale për vitin e ardhshëm qeveria planifikon pak lehtësi fiskale për produktet e importit e thuajse asgjë për prodhimin vendas. Veç parave të kufizuara e lëndës së parë të shtrenjtuar, sektori bujqësore pritet të përballet vitin e ardhshëm me mungesë të fuqisë punëtore si kurrë më parë.