Komisioneri Shtetëror Ilirjan Celibashi ka folur për arrestimin dhe burgosjen e kryebashkiakut të Himarës, Fredi Beleri.
Për Euronews Albania, Celibashi tha se për sa kohë nuk ka një vendim të formës së prerë për Belerin, ai e merr mandatin e kryebashkiakut.
Celibashi tha se Beleri ka tre muaj kohë për t’u betuar si kryebashkiak dhe në rast se vendi ngelet bosh për ndonjë arsye, Himara do të duhet të hyjë sërish në zgjedhje.
“Në dijeninë time nuk ëshrë rast i parë nëse nuk gaboj. Ka pasur një rast të ngjashëm në Tropojë me zgjedhjet ose për kandidat për deputet ose për kryebashkiak në vitin 2002. Rasti është jo i zakonshëm kur një kandidat për kryetar i një bashkie zgjidhet kur është në masën e sigurisë “Arrest me burg”. Ajo që ka rëndësi të thuhet është se për sa kohë që nuk ka një vendim të formës së prerë ai e merr mandatin e bashkisë së Himarës.
Afati brenda të cilit Beleri duhet të kryejë aktin e betimit është 3 muaj, nëse nuk gaboj. Gjithësesi çdo gjë varet nga ecuria e procesit hetimor, që i takon në mënyrë ekskluzive prokurorisë dhe gjykatës kompetente.
Është pak herët për të folur për atë që do të ndodhë në situata të ndryshme. Nëse vendi i kryetarit të bashkisë për një arsye apo një tjetër ngelet bosh, atëherë në atë bashki zhvillohen zgjedhje të reja.
Ai duhet të bëjë konfirmimin e betimit në gjykatë, por si proces do të duhet përpara Këshillit Bashkiak. Situata e “Arrestit” me burg është një rrethanë që krijon pengesa për ushtrimin e veprimtarive për funksionarë që ushtrojnë funksione publike”, tha Celibashi.