Administrata Tatimore njofton se janë hapur aplikimet për përfitimin e kompensimit të shpenzimeve për arsimimin e fëmijëve, për të gjithë individët që kanë dorëzuar deklaratën DIVA dhe kanë rezultuar me tatim të mbipaguar. Shuma e kompensimit llogaritet pas zbritjes së shpenzimeve të lejuara: 48 mijë lekë në vit, ose deri në 100 mijë lekë për individët me të ardhura vjetore deri në 1,2 milionë lekë.
Si aplikoni:
Aplikimi bëhet online përmes sistemit “e-Filing”.
Pas dorëzimit të kërkesës, kompensimi do të transferohet direkt në llogarinë bankare të deklaruar gjatë aplikimit.
Për të nisur procedurën, individët duhet të kenë plotësuar DIVA 2025 në llogarinë e tyre personale në “e-Filing”.
Dokumentacioni i nevojshëm:
Certifikata familjare.
Dokumentet që vërtetojnë shpenzimet për arsimin e fëmijëve, përfshirë:
Kontrata me institucionet arsimore.
Faturat e pagesave për shkollë, kurse të gjuhëve të huaja dhe shpenzime të tjera arsimore.
Të dhënat e llogarisë bankare personale.
Kushtet për përfitim:
Kërkesa mund të refuzohet nëse:
Deklarata DIVA 2025 nuk rezulton me tatim të mbipaguar.
Dokumentacioni është i paplotë ose i pasaktë.
Shpenzimet nuk janë të ligjshme ose nuk janë deklaruar në DIVA.
Procedura në sistem:
Hyni në “e-Tax” dhe krijoni një çështje të re për rimbursim.
Zgjidhni modulin “eFiling IM”, opsionin “Çështjet e mia” dhe llojin e çështjes “Pyetje të përgjithshme”.
Plotësoni formatin për kërkesën e kompensimit sipas shumës së tatimit të mbipaguar në deklaratën DIVA.
Llogaritja e kompensimit:
Shuma ndryshon sipas të ardhurave vjetore, nivelit të shpenzimeve të zbritura dhe numrit të fëmijëve në ngarkim.
Për individët me të ardhura deri në 1,2 milionë lekë, shpenzimet fikse për arsimin mund të zbriten deri në 100 mijë lekë në vit.
Sistemi “e-Tax” llogarit automatikisht vlerën e kompensimit, edhe për ata pa detyrim ligjor për deklarim.
Afatet:
Deklarimi i DIVA 2025 u hap më 22 janar dhe përfundon më 31 mars.
Afati për aplikimin për kompensim është deri tre muaj pas dorëzimit të deklaratës DIVA.










