Censi i ardhshëm i Bujqësisë, i cili ishte planifikuar të kryhej në vendin tonë në vitin 2022, duke ndjekur rekomandimet e Programit Botëror për Censin e Bujqësisë 2020 do të shtyhet për në 2024-ën.
Në raportin vjetor të INSTAT-it, i cili ka mbërritur në Kuvend, thuhet se kryerja e Censit të Bujqësisë është e lidhur ngushtë me rezultatet e Censit të Popullsisë dhe Banesave, pasi
me të dhënat e përfituara nga moduli i bujqësisë në pyetësor, mundësohet ndërtimi i një bazë të re zgjedhjeje për Censin e Bujqësisë.
“Faza përgatitore për Censin e Bujqësisë ndikohet në terma kohorë dhe logjistikë nga Censi i Popullsisë dhe Banesave, i cili do të zhvillohet në tetor 2022. Mbi këto baza, INSTAT, në mënyrë që të angazhohet plotësisht për të gjitha aspektet teknike dhe operacionale, është i detyruar të shtyjë Censin e Bujqësisë në vitin 2024”, bëhet e ditur në raportin e INSTAT.
INSTAT-i informoi se gjatë vitit 2020, në bashkëpunim me ekspertizën ndërkombëtare, ka rishikuar modulin e pyetjeve të cilat janë përfshirë në pyetësorin e Censit të ardhshëm të Popullsisë dhe Banesave, me qëllim përditësimin e listës së fermave bujqësore.
Lista e përditësuar e fermave do të jetë korniza për Censin e ardhshëm të njësive ekonomike bujqësore.
