Chrome vendos një rekord të ri performance në M5 MacBook Pro


Shfletuesi Chrome i Google ka vendosur rekorde të reja në testet më të njohura të performancës për shfletuesit, duke konfirmuar ambicien e kompanisë për ta bërë eksperiencën e web-it sa më të shpejtë dhe efikase. Sipas Google, Chrome ka arritur rezultate historike në Speedometer 3.1 dhe JetStream 3, dy mjete benchmark që matin performancën reale të web-eve dhe motorëve JavaScript.

Në testin Speedometer 3.1, Chrome ka shënuar 61 pikë, një rritje prej rreth 5% krahasuar me vitin e kaluar. Ndërkohë, në JetStream 3, rezultati ka arritur në 469 pikë, që përkthehet në një përmirësim prej 10% që nga fillimi i vitit 2026. Testimet janë kryer në një MacBook Pro me çip M5, duke përdorur macOS 26.0.1, një konfigurim që sot përfaqëson kulmin e performancës në ekosistemin Apple.

Speedometer and Jetstream logos

Google thekson se këto rezultate i japin Chrome një rekord të dyfishtë, duke e bërë shfletuesin më të shpejtë në Mac, përpara çdo konkurrenti tjetër, përfshirë edhe Safari të Apple-it. Një pretendim i fortë, sidomos duke pasur parasysh reputacionin e Safari-t për optimizim të thellë në pajisjet Mac.

Për të arritur këto fitore, inxhinierët e Google kanë rikonceptuar mënyrën se si Chrome trajton JavaScript. Ata kanë eliminuar hapa të panevojshëm të ekzekutimit dhe kanë rregulluar operacionet asinkrone, duke krijuar të ashtuquajturat “fast paths” për veprimet më të shpeshta. Rezultati është përmirësimi i ndjeshëm në shumë detyra të përditshme, nga ngarkimi i faqeve te aplikacionet ëeb më komplekse.

Përveç JavaScript-it, përditësime janë bërë edhe për ngarkesat WebAssembly dhe për motorin e renderimit Blink, me detaje teknike të publikuara në blogun zyrtar të Chromium. Sipas Google, këto fitore në benchmark nuk janë thjesht numra, por përkthehen në një përvojë “ndjeshëm më të shpejtë” për përdoruesit e Chrome në jetën reale.



Burimi Geekroom.al