Cilat janë tetë llojet e videove reklamuese dhe zhvillimi i motivit përkatës

Konsulentët e marketing-ut të GELDTrade shpjegojnë se videot reklamuese dhe llojet e tyre mund të përmblidhen nëpër grupe të ndryshme, varësisht mënyrës dhe faktorëve të grupimit. Në këtë shkrim kemi përmbledhur llojet më të rëndësishme të videove reklamuese sipas perspektivës së ndërmarrjes. Për bazë është marrë motivi i ndërmarrjes dhe synimi i përcaktuar.

Në përgjithësi, promocioni, si pjesë e marketingut, shfrytëzohet për t’i bërë me dije konsumatorit se ndërmarrje dhe ofertat e saja janë gjithashtu në treg. Madje, tendenca është gjithashtu të jepet një mesazh edhe me i fortë, ku konsumatorit i thuhet se ‘ne jemi më të mirët që mund të gjesh’. Këto dy synime kryesore mund të zbërthehen dhe të arrihen përmes qasjeve më konkrete duke u përqendruar vetëm në një pikë të caktuar. Komunikimi me konsumatorin në këtë rast, të përqendrimit, është më preciz dhe më i suksesshëm.

Nëse zbërthejmë synimet paraprake mund të ndajmë video materialet reklamuese në video:

  1. mbi identitetin e ndërmarrjes
  2. për informimin rreth ndërmarrjes
  3. për reklamimin e produktit ose shërbimit
  4. për informimin rreth vlerave të produktit ose shërbimit
  5. për tërheqjen drejt ueb faqes
  6. për tërheqjen drejt hapësirave për diskutim ose profileve të rrjeteve sociale
  7. video sqaruese
  8. për rimarketing

Video mbi identitetin e ndërmarrjes

Në këtë rast ndërmarrja tenton që përmes përmbajtjes të ‘mbjellë’ në kokat e njerëzve në përgjithësi dhe konsumatorëve në veçanti emrin e saj, logon, produktet, shërbimet ose vlerat e saja. Jo të gjitha këto, por vetëm një ose dy përnjëherë edhe atë për mes një porosie jo të drejtpërdrejtë. Në të shumtën e rasteve ndërmarrjet shfrytëzojnë slogane inovative ose shkëputje të këngëve ose teksteve të njohura. Këtij lloji të videove i takojnë dhe njerëz e figura të caktuara të cilat janë pjesë e identitetit të ndërmarrjes. Shembull, një sportist ose artist, bëhet pjesë e identiteti të ndërmarrjes, gjithashtu edhe figurat e zhvilluara në mënyrë specifike bëhen pjesë e këtij identiteti.

Video për informimin rreth ndërmarrjes

Videot informuese zakonisht paraqesin një gjendje përbrenda një periudhe të caktuar të jetës së ndërmarrjes. Ato njoftojnë konsumatorët rreth të rejave në ndërmarrje, ndryshimeve dhe vlerave të cilat janë në interes të tyre.

Video për reklamimin e produktit ose shërbimit

Edhe pse mund të jemi në dijeni për ekzistimin e një ndërmarrjeje nuk do të thotë se e njohim dhe ofertën e sajë. Duke marrë parasysh ndryshimet në ofertën e përgjithshme dhe vlerave të produktit ose shërbimit të caktuar, ndërmarrja ofron video të cilat flasin mbi ofertën e sajë në përgjithësi ose për produktet e shërbimet e veçanta. Në këtë rast nuk kemi të bëjmë vetëm me produktet dhe shërbimet e reja, por edhe ato ekzistuese ku paraqiten risitë lidhur me to.

Video për informimin rreth vlerave të produktit ose shërbimit

Jo të gjitha produktet dhe shërbimet janë të thjeshta për tu kuptuar dhe shfrytëzuar. Nëse një produkt nuk mund të kuptohet, atëherë si mund t’i kuptohet vlera të cilën bartë me vete? Për këtë arsye zhvillohen video të cilat flasin mbi vlerën e ofertës së ndërmarrjes. Kohëve të fundit ndërmarrjet, gjithnjë e më shumë, janë duke u përqendruar në zhvillimin e video materialeve të cilat flasin për vlerat e produkteve ose shërbimeve për secilin veçmas. Ky lloj i videove ndihmon konsumatorët gjatë procesit të vendimmarrjes.

Video për tërheqjen drejt ueb faqes

Marketingu në internet në përgjithësi, por edhe promocioni në internet në veçanti tërheqin konsumatorin drejt informacioni dhe jo drejt produktit. Kjo do të thotë: porosia nuk ka kuptimin ‘ejani dhe shiheni dhe prekeni produktin’, por ‘ejani dhe shikoni foto e video të produktit dhe informohuni rreth tij’.

Meqë informacioni është baza e shitjes në internet, atëherë hapësira ku ndërmarrja ofron informacionet, duhet gjithashtu të jetë e njohur për konsumatorin. Videot për thirrje të konsumatorëve drejt ueb faqes së ndërmarrjes duhet të kenë përmbajte tërheqëse e cila jo vetëm që jep informacione, por edhe ofron vlera për konsumatorin. Vlerë në këtë rast mund të jetë:

  • kursimi i kohës përmes gjetjes së produkteve në internet
  • lidhja më e lehtë dhe më efikase me ekipin mbështetës
  • komentimi dhe vlerësimi i produkteve
  • kërkimi i informacioneve shtesë rreth ofertave të caktuara, e të tjera

Video për tërheqjen drejt hapësirave për diskutim ose profileve të rrjeteve sociale

Ngjashëm sikur në pikën e mësipërme, në këtë lloj videosh ndërmarrja fton konsumatorët dhe të tjerët që të marrin pjesë nëpër profilet e hapësirave të ndryshme nëpër rrjetet sociale ose në faqen e ndërmarrjes. Dallimi këtu është se kjo ftesë bëhet për pjesëmarrje dhe ndërveprim dhe jo vetëm për qëndrim pasiv. Ndër të tjerash bëhet nxitja për tu informuar rreth produkteve e shërbimeve dhe karakteristikave të tyre në mënyrë që të mund të jepen mendime, vlerësime, pëlqime e shpërndarje tek të tjerët.

Video sqaruese

Videot sqaruese, kryesisht të animuara, zhvillohen në mënyrë specifike për të sqaruar një produkt, shërbim, një ose disa funksione të një produkti, ose një ose disa pjesë të një shërbimi. Qëllimi i këtyre videove është shmangia e teksteve dhe broshurave sqaruese. Përmes tyre ndërmarrja shpalosë informacione të shumta, në mënyrë vizuale, në një kohë të shkurtë me një ndikim shumë të lartë.

Video për rimarketing

Videot për rimarketing dallojnë nga të gjitha llojet tjera të videove andaj edhe porosia duhet formuluar ndryshme. Përmes këtyre videove nuk flasim me konsumatorët të cilën nuk kanë njohuri rreth ofertës ose shërbimeve tjera të ndërmarrjes, por me ‘vizitorë të ndërmarrjes’ ose konsumatorë të mëparshëm të sajë. Porosia, në këtë rast, nuk duhet të jetë shumë intensive dhe shtytëse sepse konsumatori ka një përvojë të caktuar me ndërmarrjen. Për të zhvilluar llojin e duhur të videove për rimarketing duhet ditur se me cilët konsumatorë duam të komunikojmë, me ata të cilët kanë qenë të zhgënjyer, me ata të pa interesuarit të cilët shfaqin një lloj neutraliteti, apo me ata të cilët kanë pasur përvojë pozitive, por që nuk janë konsumatorë të rregullt? Secili nga këto grupe kërkon qasje dhe tretman të ndryshëm, andaj edhe ndryshe duhet trajtuar.

GELDTrade.al