Cilët janë tre parashikimet e zhvillimit të ekonomisë?

Ndërsa ky vit u mbyll me një recesion ekonomik prej -4.4% dhe përmes një skenari optimist Qeveria pret që vitin e ardhshëm kjo goditje të kompensohet nga një rritje e fortë prej 5.5%, gjërat mund edhe të mos shkojnë kështu. Këshilli I Ministrave sapo ka miratuar Programin e reformave ekonomike për periudhën 2021-2023, të publikuara këtë javë edhe në Fletoren Zyrtare, ku merr parasysh tre skenare, mes të cilëve skenari më pessimist do t’I vështirësonte së tepërmi zhvillimet në Shqipëri në terma afatmesme.

Skenari bazë, edhe më i mundshmi për t’u materializuar sipas Qeverisë, parashikon një rritje mesatare ekonomike prej 4.9% në terma afatmesme, 5.5% në vitin 2021, 4.8% në vitin 2022, 4.5% në vitin 2023, 3.9% në vitin 2024 dhe 4% në vitin 2025. Në skenarin optimist, me pak gjasa për t’u materializuar duke parë efektet që ka dhënë Pandemia në ekonomitë e vendeve me të cilat ndërvepron Shqipëria, Këshilli i Ministrave parashikon kërcim prej 6% të zhvillimit ekonomik në vitin 2021, 5.3% në vitin 2022, 5% në vitin 2023, 4.4% në vitin 2024 dhe 4.5% në vitin 2025.

Ndërkohë që shumë i zymtë do të ishte materializimi i skenarit pesimist, sipas të cilit ekonomia shqiptare nuk do zhvillohej me ritme më të shpejta se 4% në vitin 2021, për të vijuar me 3.3% në vitin 2022, 3% në vitin 2023, 2.4% në vitin 2024 dhe 2.5% në vitin 2025. Një skenar i tillë do të vinte në vështirësi të forta përmbushjen e reformave për dy vitet e ardhshme, por veçanërisht pritshmëritë ambicioze për uljen e borxhit publik, që aktualisht vlerësohet mbi 80% të Produktit të Brendshëm bruto.

GELDTrade.al