Ish-banorja e “Big Brother VIP Kosova 1”, Juliana Nura, ka publikuar mbrëmjen e djeshme episodin e parë të dokumentarit të saj tejet personal, të titulluar “Eagle Queen”.
Ky projekt mbart një rëndësi të veçantë për të, pasi dokumenton hap pas hapi rrugëtimin e saj më të ri dhe më të rëndësishëm: atë të rritjes së dy jetëve brenda saj.
Në këtë pjesë të parë, Xhuli ka hapur zemrën duke ndarë emocionet e para dhe të forta që kur kuptoi se po bëhej nënë. Ajo rrëfeu se dëshira për të pasur fëmijë dhe për të përjetuar ndjesinë e mëmësisë ka qenë një ëndërr e madhe e saj që kur ishte e vogël. Dokumentari solli pamje ekskluzive dhe mjaft prekëse të momentit kur ajo mban në duar testin pozitiv të shtatzënisë.
Një nga pjesët më emocionuese të episodit ishte vizita mjekësore dhe ekoja e parë. Publiku pati mundësinë të shihte reagimin e pastër të Xhulit në momentin kur dëgjon për herë të parë rrahjet e zemrës së binjakëve të saj.
Përveç ekos, Xhuli nuk nguroi të ndante edhe momentin tejet privat kur vendosi t’ia jepte lajmin e madh nënës së saj. Ky reagim familjar dhe plot ngrohtësi dëshmoi mbështetjen e madhe që Xhuli ka në këtë rrugëtim të ri.
E lumtur dhe e përfshirë nga emocionet, nëna e Xhulit u shpreh para kamerave me fjalë të ndiera:
“Jam shumë e lumtur si nënë dhe si gjyshe. Kur Xhuli është e lumtur, edhe unë jam e lumtur. Unë jam vetë nënë, tashmë po bëhem gjyshe e 12 nipave dhe mbesave, dhe ky është një bekim i madh.”
Kujtojmë se ekipi i Prive By Liberta Spahiu ishte i ftuar në premierën e dokumentarit të Xhulit, ku vetë ish-banorja e BBVK, foli për pritjen e ëmbël. /Prive By Liberta Spahiu










