Presioni i çmimeve të hidrokarbureve nga tregjet ndërkombëtare po reflektohet edhe në vendin tonë.
Çmimi i naftës në tregtuesit më të mëdhenj me pakicë në vend ka arritur në 197 – 199 lekë, ndërsa i njëjti nivel është shënuar dhe për benzinën. Çmimet janë në nivelin më të lartë në pesë muaj. Edhe në bursa çmimi ka arritur në mesatarisht 930 dollarë për ton, nga 670 dollarë mes marsit dhe korrikut.
Media prestigjioze amerikane Reuters ka kryer një sondazh për pritshmëritë mbi çmimet e naftës në muajt e ardhshëm të vitit. Sipas mendimit të 37 ekonomistëve dhe analistëve, ulja e prodhimit nga ana e OPEC+ do të sjellë mungesa në tregje globale dhe si rrjedhojë çmimet do të rriten.
Ulja e prodhimit nuk kompenson as kërkesën e dobësuar nga Kina përcakton analiza e tyre, ndërsa konsensusi është që nafta e papërpunuar Brent do të arrijë çmimin mesatar 82.45 dollarë për fuçi në 2023-in, nga 81.95$ në analizën e mëparshme. Më e fortë rritja e çmimeve do jetë gjatë tremujorit të katërt.
Shumica e analistëve të pyetur nga Reuters presin që eksportuesi kryesor Arabia Saudite të zgjasë shkurtimin vullnetar të furnizimit me 1 milion fuçi në ditë, që është shtesë e shkurtimeve të vendosura nga grupi më i gjerë OPEC+ udhëhequr nga Rusia.