Ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov do të vizitojë Turqinë të mërkurën për bisedime që përfshijnë krijimin e një korridori në Detin e Zi për të lejuar drithin ukrainas të hyjë në tregjet botërore, ndërsa çmimet globale të artikujve ushqimorë vazhdojnë të rriten.
Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Dorian Jones nga Stambolli, bisedimet vijnë pasi Ankaraja përballet me presion për të hapur Detin e Zi për anijet e NATO-s për të thyer bllokadën e Rusisë ndaj Ukrainës.
Jo shumë kohë më parë, anijet që lundronin përmes Bosforit e që transportonin grurë nga Ukraina për në tregjet globale, ishin një pamje e zakonshme. Por jo më. Me bllokadën detare që Rusia i ka bërë Ukrainës – furnizuesi i pestë më i madh i drithit në botë – çmimet po arrijnë nivele rekord, duke kërcënuar trazira.
“Libani në vitin 2020, importonte 75% të grurit nga Ukraina. Dhe, nëse do të shkosh të blesh grurë tani, kushton shtrenjtë dhe ndoshta nuk do ta gjesh në treg. Pra, në një vend si Libani, ku tashmë ka një krizë financiare, mungesa e grurit mund të sjellë një krizë të madhe”, thotë analisti gjeopolitik Yoruk Isik.
Kërcënimi i një krize globale ushqimore po bën që disa vende të NATO-s të ndërhyjnë.
Diskutimet mes ministrit të jashtëm rus Sergej Lavrov dhe zyrtarëve turq do të përqëndrohen pjesërisht në krijimin e një korridori në Detit të Zi, për të lejuar drithin ukrainas të hyjë në tregjet botërore.










