Çmimi i energjisë diellore – Enti Rregullator nis procedurat për vitin 2022, vitin që kaloi nuk pati asnjë miratim

Enti Rregullator i Energjisë ka nisur procedurat për përcaktimin e çmimeve të blerjes së energjisë nga impiantet e prodhimit të energjisë nga era, dielli dhe mbetjet për vitin 2022. Ky është çmimi me të cilin shteti shqiptar blen energjinë nga prodhuesit me përparësi të energjisë, që është një prej masave të mbështetjes për stimulimin e investimeve në këtë drejtim. Vendimi i ERE-s vjen pas mbylljes së procedurës për vitin 2021, ku për impiantet e diellit dhe atyre që prodhojnë energji nga mbetjet, nuk u përcaktua çmim.

Kjo pasi Ministria e Infrastukturës dhe Energjisë nuk kishte përfunduar procesin e vlerësimit të aplikimeve për teknologjitë fotovoltaike deri në 2 MW, ndërsa për prodhimin e energjisë nga mbetjet nuk pati asnjë aplikim të ri. Ky dikaster deklaroi se procesi i finalizimit të dhënies së miratimeve përfundimtare për ndërtimin e centraleve prodhuese nga dielli do të vijojë përgjatë vitit 2022. Për këto arsye, ERE konstatoi se në mungesë të kostove konkrete të investimit për vitin 2021, përcaktimi i çmimit nuk gjente zbatim.

Sipas të dhënave zyrtare, që MIE ka dërguar pranë Entit Rregullator të Energjisë, deri në datën 25 janar 2022 janë lëshuar 16 Miratime Paraprake për ndërtimin e kapaciteteve gjeneruese të energjisë elektrike fotovoltaike me kapacitet 2 MW secila, ndërsa ka pranuar shqyrtimin e 8 aplikimeve me kapacitet me nga 2 MW, të cilat janë në fazë vlerësimi. Gjithashtu, janë dhënë 7 Miratime Paraprake për ndërtimin e kapaciteteve gjeneruese të energjisë elektrike eolike, prej të cilave 5 Miratime Paraprake me kapacitet prodhues me nga 3 MW, 2 Miratime Paraprake me kapacitet prodhues 2 MW dhe 1 Miratim Përfundimtar me kapacitet të instaluar 2 MW.