Dy TEC-et lundruese që mbërritën me ceremoni vitin e kaluar në gjirin e Vlorës, për të zbutur efektet e krizës energjetike në Shqipëri, nuk janë vënë asnjë ditë në punë. Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ende nuk e ka marrë licensën e prodhimit nga Enti Rregullator i Energjisë. KESH-it i mungon edhe sasia e lëndës së parë djegëse që i nevojitet asetit termik për t’u vënë në punë. Ajo që dihet me siguri është fatura 68 milionë dollarëshe që KESH do të paguajë për qiranë dhe operimin, edhe nëse “Tigri 1” dhe “Tigri 3” nuk do t’ndezin ndonjëherë motorët.
“Ne do të vazhdojmë gjatë muajit Janar dhe gjatë muajit Shkurt të fusim në prodhim dy anijet prodhuese të energjisë elektrike që tashmë ndodhen të stacionuara në Triport” – deklaroi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku dhjetorin e vitit 2022, teksa komunikonte të dhënat mbi situatën energjetike në vend.
Anijet e quajtura “Tigri 1” dhe “Tigri 3” u ankoruan në brigjet e detit Jon shtatorin e vitit të kaluar, por ende nuk ka një datë mbi shfrytëzimin e tyre.










