Dardha: Fshati ideal i dimrit

Në lartësinë e 1344 metrave dhe falë vendndodhjes mes maleve e pyjeve, Dardha, ky fshat 300-vjeçar, është një nga fshatrat turistikë më surprizues në Shqipëri.

Një prej tipareve më dallues e te bukur të fshatit turistik të Dardhës, është peizazhi i tij i paharrueshëm, ku karakteristikat e çdo stine pasqyrohen më së miri. Shtëpi prej guri, kurora të gjelbërta pyjesh që vishen me të bardhe në dimër, dhe nje pastërti ajri që të mbush mushkëritë e të bën të ndjehesh i rigjeneruar plotësisht. Këto cilësi kanë bërë që në Dardhë vit pas viti të shtohet numri i turistëve, si dhe i atyre banorëve të rinj, që zgjedhin të ndërtojnë shtëpinë ideale të pushimit pikërisht këtu.

Përfytyroni pak një qoshe të ngrohtë pranë zjarrit, me një libër të mirë pranë vetes apo një film klasik bardh e zi në sfond, tek sa jashtë bie dëborë për ditë e javë të tëra. E tillë është Dardha në dimër, thjesht magjike! Oxhaqet ndizen e prej shtëpive të gurta të veshura nga bora dalin në sinkron retë e hirta të cilat e bëjnë akoma më përrallore pamjen që shfaqet përpara. Të shumtë janë ata që zgjedhin të provojnë dhe skitë, sport i cili prej vitesh mund të praktikohet dhe përmes paketave të posaçme.

E tek sa dimri shënohet nga e bardha, stinët e tjera luajnë të treja me një tablo të rrallë ngjyrash, që të bëjnë të kuptosh lehtësisht pse prej këtij fshati kanë dalë plot piktorë e artistë që kanë lënë gjurmë. Që prej familjes së njohur të piktorëve Zengo që vazhdon traditën deri në ditët e sotme, e deri tek Kostandin Zografi apo shkrimtari Teodor Laço, ky fshat i vogël ka nxjerrë vërtet emra të mëdhenj për artin dhe kulturën shqiptare.