Një tjetër moment nga videot që po qarkullojnë në rrjet dhe që lidhen me kompozitorin Adrian Hila ka ngritur edhe më shumë pikëpyetje rreth kamerës që regjistronte brenda ambientit.
Në fragmentin e ri, një burrë që ndodhet në dhomë duket se vëren pajisjen dhe pyet për të, sikur t’i ketë tërhequr vëmendjen diçka e pazakontë.
Në këtë moment dëgjohet Adrian Hila duke iu përgjigjur: “Është alarm, o Mero, për kokë të [pjesë e paqartë]. Unë këtu fle me gocën time”.
Ky fragment merr peshë pikërisht për shkak të debatit që ka shpërthyer rreth mënyrës se si janë realizuar regjistrimet. Deri më tani është raportuar se pamjet duken të xhiruara nga i njëjti kënd, ndërsa nuk është sqaruar publikisht se kush e kishte vendosur apo kontrollonte kamerën dhe nëse personat e regjistruar kishin dijeni për të.
Në raportime është ngritur edhe pista se materialet mund të kenë ardhur nga kamera të lidhura me internetin dhe të jenë siguruar përmes ndërhyrjes së jashtme, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar.
Ndërkohë, Krimi Kibernetik është vënë në lëvizje për të identifikuar burimin dhe faqet apo profilet që kanë shpërndarë materialet, ndërsa rrethanat e plota të regjistrimit dhe daljes së tyre në publik mbeten ende për t’u zbardhur.
Fragmenti i fundit shton kështu një tjetër element në gjithë historinë: të paktën një prej personave që ndodhej në ambient duket se e kishte vënë re pajisjen dhe kishte kërkuar shpjegim për të. /Prive By LS










