Denaj/ Ekonomia nisi rikuperimin në gjysmën e dytë të 2020-s

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi sot se numri i të punësuarve në fund të vitit 2020 rezulton më i lartë se sa në fund të vitit 2019, edhe pse ekonomia e vendit pësoi dy goditje të njëpasnjëshme, tërmeti i 26 nëntorit dhe pandemia e shkaktuar nga virusi Sars-Cov-2.

Gjatë një interpelance në Kuvend, ministrja Denaj tha se bilanc pozitiv shënoi edhe numri i bizneseve të regjistruara, ku në fund të vitit që lamë pas, janë 203 biznese më tepër se në 2019-n.

“Po ti kthehemi vitit 2020, është një vit i vështirë dhe me numër të papunësh të cilët regjistrohen sidomos në muajin prill, në muajin më të vështirë për personelin që del nga tregu i punës në të paktën 46 mijë persona. Por ne duhet ta shikojmë të gjithë procesin si ka evoluar gjatë vitit 2020. Shifrat, të cilat janë kokforte dhe nuk bëjmë fjalë këtu për shifra të sjella nga një individ por nga institucione tregojnë se në dhjetor të vitit 2020 numri i të punësuarve është 689,648 ndërkohë që në dhjetor të vitit 2019 është 688,393”, tha ministrja.

Denaj theksoi se edhe me numrin e bizneseve të regjistruara apo në efekt neto, efekt që vjen në regjistrim-çregjistrim, ka një trend pozitiv.

“Kjo nuk thekson faktin që nuk kanë vështirësi bizneset. Unë jam çdo ditë në takim me bizneset, me përfaqësues të bizneseve të vogla dhe të mëdha sidomos me ato në sektorin fason, të cilët nuk e kanë të lehtë dhe për një arsye tjetër, sepse ekonomia jonë është shumë e varur dhe nga ekonomitë e vendeve të tjera, si Italia apo Greqia, për të cilët masat janë edhe më të shtrënguara sesa vitet e kaluara”, vuri në dukje Denaj.

Denaj bëri të ditur se kemi vendosur 26 miliardë lekë në dispozicion përmes garancive sovrane. “E para me fokus pagën për punonjësit për të mos larguar njerëz nga puna, ndërsa e dyta për të riorganizuar njësitë e çdo sektori në një frymë afatmesme të zhvillimit të tyre ekonomik. Kemi vendosur në dispozicion 26 miliardë lekë”, tha Denaj.

Sipas Denaj, janë 8.8 miliardë lekë nga garancia e dytë sovrane e cila është 15 miliardë lekë të përdorura deri në fund të vitit, gati 60%.

Denaj solli në vëmendje edhe vendimin për shtyrjen deri në qershor në lidhje me afatin e përdorimit të garancisë sovrane II, në mënyrë që ky instrument të përdoret efektivisht meqënëse kërkesa nga bankat vjen dhe rritet.

E pyetur se ku do ti gjejë paratë biznesi për tatimfitimin e mbartur gjatë muajve që nuk punoi me atë të krijuar gjatë muajve që do të punojë me efiçencë jo të plotë, Ministrja Denaj u përgjigj se bizneset vetëdeklarojnë, përgatisin, dorëzojnë deklaratën e fitimit të tatueshëm deh se procedurat tatimore e njohin të drejtën e rivlerësimit.

“Kjo do të thotë se ata çdo vit përfundojnë një vit, i cili vendos bazën për një vit pasardhës. Për çdo biznes, viti pasardhës parashikohet si një vit më i mirë, në më të mirën e mundshme dhe në bazë të një viti paraardhës parashikohen vlerësime për t’u parapaguar. Kjo për rutinë por sigurisht për një vit si 2020 që nuk ishte një vit normal, ne realizuam eliminimin e këtij funksioni. Ndërkohë, në procedurat administrative tatimore njihet rivlerësimi që ka qenë dhe mbetet një element shumë i rëndësishëm për bizneset, si në një vit jo normal si 2020 por edhe për vite të tjera normale. Këto nuk janë shpikje shqiptare por procedura të cilat janë marrë nga praktikat më të mira ndërkombëtare siç janë të gjitha procedurat dhe të gjithë sistemet që ne po punojmë për të rritur mirëadministrimin fiskal”, u shpreh Denaj.

Ministrja Denaj informoi se tashmë ka nisur “fiskalizimi” por edhe disa sisteme të tjera që do t’i shërbejnë mirëadministrimit.

“Janë 7 sisteme në totalitet që do të mundësojnë mirëadministrimin fiskal”, bëri të ditur ministrja, ndërsa apeloi qytetarët të kërkojnë kuponin tatimor, duke ndihmuar kështu administratën tatimore dhe të punojmë me sisteme dhe jo me njerëz.

Ministrja Denaj tha se për të minimizuar efektet e goditjes nga pandemia, kemi vendosur 26 miliardë lekë në dispozicion përmes garancive sovrane.

“E para me fokus pagën për punonjësit për të mos larguar njerëz nga puna, ndërsa e dyta për të riorganizuar njësitë e çdo sektori në një frymë afatmesme të zhvillimit të tyre ekonomik. Kemi vendosur në dispozicion 26 miliardë lekë”, tha Denaj.

Sipas Denaj, janë 8.8 miliardë lekë nga garancia e dytë sovrane e cila është 15 miliardë lekë të përdorura deri në fund të vitit, gati 60%.

Denaj solli në vëmendje edhe vendimin për shtyrjen deri në qershor në lidhje me afatin e përdorimit të garancisë sovrane II, në mënyrë që ky instrument të përdoret efektivisht meqënëse kërkesa nga bankat vjen dhe rritet.

Radari.al