Denaj/ Goditja nga pandemia, ulje e të ardhurave 7.9 %

Të ardhurat totale në buxhetin e shtetit gjatë vitit 2020 janë ulur me 7.9 %, krahasuar me vitin 2019, nga një parashikim me 15 % në skenarin fillestar të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, pas goditjes së ekonomisë, si rezultat i masave shtrënguese për të parandaluar përhapjen e pandemisë së COVID-19.

“Viti 2020, megjithëse ishte një vit i vështirë, ne ia dolëm duke ruajtur të gjithë fondamentet e financave publike. Realizuam stabilitetin e financave publike, ruajtëm parametrat fiskale, pavarësisht zgjerimit të borxhit publik, që është një zgjerim i detyrueshëm e nuk i ndodhi vetëm Shqipërisë, por edhe vendeve të tjera që u goditën vetëm nga pandemia e jo edhe nga një tërmet. Sistemi financiar është totalisht i qëndrueshëm dhe tërësisht likuid e i mirëkapitalizuar”, deklaroi ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj gjatë fjalës së saj në Parlament, teksa po diskutohen ndryshimet në buxhetin e vitit 2020.

Pozicioni i jashtëm i ekonomisë, vijoi ministrja, që mbetet një nga shqetësimet kryesore për ekonomistët, ka qëndruar mjaft stabël dhe ndryshe nga shqetësimet fillestare, kemi patur një rritje të konsiderueshme të stokut të rezervave valutore të vendit.

Inflacioni mesatar për periudhën janar-nëntor të vitit 2020 ka rezultuar në nivelin 1.7 %, krahasuar me nivelin 1.4 % regjistruar përgjatë vitit 2019.

Sipas saj, të ardhurat totale në buxhet të shtetit janë ulur me 7.9 %, krahasuar me 2019-n nga një parashikim me 15 % i pritshëm në skenarin tonë të parë.

“Pavarësisht kësaj, ne ja dolëm të realizonim në kohë, me shpejtësi dhe efektivitet një mbështetje për qytetarët, për individët, për t’u futur në një vit që sigurisht nuk është imun nga efektet e pandemisë, por me kurajon dhe shpresën që më të vështirin e kaluam vitin e kaluar“, tha Denaj.

GELDTrade.al