Depozitat në janar rriten me ritme të ngadalta

Depozitat në sistemin bankar kanë vijuar rritjen edhe në janar, ndonëse me ritme shumë më të ngadalta se muajt e mëparshëm dhe në raport me janarin 2020.

Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, stoku i depozitave në fund të muajit janar arriti në 1.11 trilionë lekë, me një rritje prej 0.13% në krahasim me dhjetorin e 2020-s.

Rritja ka ardhur tërësisht nga valuta, që u zgjerua me 0.5% në raport me dhjetorin, e ndikuar nga individët, ndërsa kursimet në lekë shënuar rënie (-0.29% me bazë mujore) për herë të parë që nga gushti i vitit 2019.

Rënia e kursimeve në lekë erdhi nga rënie e depozitave të korporatave (-4.4% me bazë mujore), ndryshe nga tendenca e 2020-s kur ato ishin në rritje për shkak të stepjes për të investuara dhe pagesave të larta që u bënë nga buxheti në dhjetor. Ndërsa individët vijuan në rrisnin kursimet në lekë pa afat.

Me bazë vjetore (janar 2021/janar 2020), stoku i depozitave është zgjeruar me 7.4%, duke reflektuar ecurinë pozitive të shënuar gjatë periudhës së pandemisë, ku u shënuar një rritje e ndjeshme e prirjes për të kursyer, si nga individët ashtu dhe bizneset.

Depozitat shënuan rritje të ndjeshme në vitin 2020, që është përshpejtuar sidomos gjatë periudhës së pandemisë. Stoku i kursimeve në vend arriti në 1.11 trilionë lekë, ose gati 9 miliardë euro, që është niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë pas viteve ’90. Në raport me vitin e mëparshëm, depozitat u zgjeruan me 8.2%. Kjo ishte rritja më e lartë që prej vitit 2011.

Tendenca e rritjes së depozitave është vërejtur në gjithë Europën, ku pasiguria për të ardhmen dhe pamundësia për të shpenzuar pas kufizimit të udhëtimeve ka nxitur konsumatorët që të kursejnë më shumë.

Ndryshe nga vitet e kaluara, kur rritja e depozitave u udhëhoq nga valuta, ndërsa kursimet në lekë ishin të vakëta (si rrjedhojë e rënies së normave të interesit nga viti 2012), në periudhën e pandemisë kursimet janë orientuar nga leku. Depozitat në monedhën vendase u rritën me 11% në 2020-n, duke ndikuar në rreth 60% të rritjes. Ky është një tregues indirekt se depozitat janë nxitur më së shumti nga kursimet e brendshme. Në vlerë absolute, shtimi i depozitave në lekë (me rreth 51 miliardë lekë) shënoi nivelin më të lartë rekord që prej vitit 2007, kur Banka e Shqipërisë raporton të dhënat.

Në krahasim me muajin shkurt, që përkon me periudhën para pandemisë, kursimet në banka janë shtuar me rreth 72 miliardë lekë, ose rreth 570 milionë euro.

Valuta vijon të jetë më e preferuara për të mbajtur kursimet. Në janar 2021, depozitat në lekë përbënin 46.3% të totalit, nga 46.5% në fund të 2020-s.

Burimi: BSH

GELDTrade.al