Projektligji i hartuar nga qeveria që synon rritjen e pagave të punonjësve të administratës publike dhe institucioneve të pavarura, ka shkaktuar pakënaqësi dhe debate në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë. Ndërsa ministrja e Financave ka sqaruar se fillimisht do të rriten pagat administratës e më pas të ministrave dhe ligjvënësve, deputetët e opozitës e kanë konsideruar si jo normal këtë proces. Sipas tyre duhet të ruhet hierarkia dhe dinjiteti i çdo ligjvënësi.
Delina Ibrahimaj, Ministre e Financave: “Kostoja e pagave te ministrave dhe deputeteve nuk ndikon ne buxhetin për reformën, por për ne ka prioritet zbatimi i reformës se pagave dhe me zbatimin e saj do sjellim propozimin për deputetet dhe ministrat”.
Agron Shehaj, deputet i PD: “Po na ofendoni, ne votojmë rritjen e pagave për të tjerë dhe vetë mbesim në të njëjtat nivele. A është kjo tallje e Kryeministrit. Përbuzni deputetet dhe ministrat, duke u thënë që jeni të korruptuar dhe nuk keni nevojë për para. Po ju zonja ministre keni nevojë për rritje rroge. A është normale që këshilltari juaj të paguhet më shumë se ju?
Këtij argumenti u janë bashkuar edhe anëtarë të tjerë të Komisionit të Ekonomisë. Arbër Agalliu, Deputet i PD:“Duhet te ruhet hierarkia. Propozimi im është duhet te ruajmë dinjitetin e çdo individi për të mos e shpërberë aparatin shtetëror.
Edmond Spaho, Deputet i PD: “Ka që në 2025 që paga e deputetit nuk indeksohet.”
Por pavarësisht diskutimeve, ministrja i ka qëndruar variantit se rritja e pagave për këtë kategori, do të ndërmerret pas përfundimit të reformës në të gjithë administratën. Për punonjësit e administratës publike rritja e pagave nis efektet nga 1 Prilli 2023.