Përmeti apo siç njihet ndyshe qyteti i trëndafilave, është vendi i cili do t’ju surprizojë në shumë aspekte, jo vetëm në kulturë dhe traditë, por edhe në peizazhe natyrore e shije unike të gatimeve që vetëm zonjat përmetare dinë të bëjnë.
Ujërat Termale të Bënjës
Vitet e fundit është kthyer në një nga vendet më të frekuentuara. Këto ujëra termale njihen që nga antikiteti si burime sulfurore, që dalin nga një çarje e thellë tektonike. Ҫdo burim zotëron veti terapeutike të ndryshme për kurim sëmundjesh. Dy prej më të mëdhenjve, në këmbët e Urës së Katiut, thuhet se bëjnë mirë për shqetësimet e stomakut dhe për sëmundjet reumatizmale. Pjesa më autentike e banjave është se ato janë vaskat prej guri. Vaskat termale të Bënjës ndodhen jo shumë larg Përmetit dhe nëse i vizitoni ato do të gjeni një përzirje unike mes historisë, aventurës dhe natyrës.
Kanioni i Lengaricës
Përveç banjave termale, gjatë verës mund të vizitohet edhe kanioni i Lengaricës duke ecur në shtratin e përroit për të shijuar panorama mbresëlënëse. Kanioni i Lengaricës është një nga eksperincat e cila do të mbetet gjatë në mendjen tuaj, në saj të rrugëtim spektakolar mes shkëmbinjve të krijuar prej miliona vitesh. Kanioni ka një gjatësi të konsiderueshme prej 4-5 km dhe lartësinë deri në 150 metra dhe përbëhet nga shkëmbinj gëlqeror. Përgjatë përroit, përveç ujrave termale të Bënjës, gjenden edhe shpella midis të cilave përmendim “ Shpellën e Pëllumbave” dhe “Shpellën e Katiut” të përdorura si vendbanime në kohërat antike.
Kisha e Shën Mërisë, Fshati Leusë
Kjo kishë e tipit bazilikë, është ndërtuar në fund të shekullit XVIII vitet e fundit është kthyer një nga destinacionet e preferuara pasi viteve të fundit i është nënshtruar edhe restaurimit. E pozicionuar shumë afër me qytetin, vetëm 3 km larg Përmetit, kisha është e pasur me piktura murale dhe ikonostase. Pikturat murale janë të vitit 1812 ndërsa ikonostasi i gdhendur mban datën 1817. Vlera të veçanta artistike përbëjnë afresket dhe ikonostasi i gdhendur në dru arre. E veçantë e kësaj godinë, është se e gjitha është ndërtuar me gurë vendi dhe rrasa guri.
Fshatra Karakteristik në Gurë
Përmeti është i pasur me kulturë dhe traditë dhe nëse vjen në këto zona është e pamundur të mos vizitohen fshatra karakteristikë të ndërtuar në gurë. Jo vetëm që do të mrekulloheni nga mikpritjen, por edhe nga kulturat dhe traditat të cilat janë ruajtur me fanatizëm. Shtëpitë janë kryesisht të ndërtuara me gurë dhe dy katëshe, të pozicionuara në mes të natyrës të cilat ofrojnë pamje mbresëlënëse. Dhe nëse do të vizitoni Përmetin, ju këshillojmë të bëni një xhiro në fshatrat Kosovë , Bënjë, Leusë, Buhal, Lipë dhe Ogdunan.
Teqeja e Alipostivanit
E ndërtuar nga Baba Aliu në vitin 1857, ajo sot mban edhe emrin e tij dhe ndodhet në majën e kodrës së Alipostivanit. Me një pamje spektakolare, nga maja ju mund të shikoni në pëllëmbë të dorës luginën e Vjosës. Një ndërtim tipik i teqeve ku ndërthuret e bardha me jeshilen e kanë bërë këtë vend jo vetëm të pasur me vlera shpirtërore, por edhe një vend me vlera të rralla kulturore për turistët.
Guri i Qytetit
I konsideruar si simbolit i qytetit, ky gur mbart shumë histori dhe legjendë. Sipas gojëdhënave kryezoti i krahinës së Përmetit, Premti, që i dha emrin qytetit, kishte ndërtuar mbi Gurin e qytetit një kala. Sot kalaja është rrafshuar dhe kanë mbetuar vetëm muret. Në fund të shek të IV, ushtria e Sulltan Mehmetit erdhi të pushtonte Përmetin. Kryeziti i qytetit që kishte ndërtuar kalanë nuk jetonte më dhe ishte nip i tij Gjergji kishte pushtetin. Ai kishte një vajzë Diestrën me foshnjën në gji. Pushtuesit turq kërkuan çelsat e fortesës dhe dorëzimin e vajzës. Diestra për të mos i’u dorëzuar turqve, mori djapin dhe djalin dhe u hodh nga maja e shkëmbit. Mbi gur janë disa shenja: dora e foshnjës ose vijat e djepit.
Bredhi i Hotovës
Për më të apasionuarit e natyrës Parku Kombëtar Bredhi i Hotovës është ideali. I pozicionuar rreth 35 km larg qytetit të trëndafilave, ky park konsiderohet si më i madhi në Ballkan. Parku Bredhi i Hotovës mund të vizitohet jo vetëm për turizëm natyror, por edhe kulturor meqë rreth tij shtrihen disa fshatra me një traditë kulturore të veçantë, mund të përmendim fshatin Frashër, ku ndodhet edhe shtëpia- muze e e vëllezërve me të njëjtin emër, si edhe teqeja e Frashërit.
Ujëvara e Sopotit
E pozicionuar në këmbët e vargmalit të Nemërçkës kjo ujëvarë është një ndër më mahnitëset. Ajo gjendet në fshatin Stërmbec dhe udhëtimi deri në ujëvarë do ju lëri pa fjalë. Pranë ujëvarës së Sopotit çdo gjë është sikur ta ketë pikturuar Zoti, natyra e stolisur të fal qetësinë dhe të mbush me ajër.
Gryka e Këlcyrës
Gryka e Këlcyrës ndryshe njihet edhe si parajsa e njëmijë e një burimeve, ku ndërthuret bukur peizazhi natyror me bimësinë që gjendet përgjatë burimeve ujore. E konsideruar për një formim shkëmborë shumë të veçantë kjo grykë i dhuron një pamje mahnitëse kësaj zone. Kjo grykë është vendpushimi ku derdhet lumi Vjosë dhe përgjatë saj ndodhet edhe një nga burimet ujore më të bukura të Shqipërisë, Burimi i Ujit të Zi, një vend i mrekullueshëm që vlen të vizitohet.