Shqipëria është një vend i pasur me bukuri natyrore por dhe histori. Një vend që ka shumë kala që mbartin mbi supe histori të periudhave të ndryshme, por sa njihni prej tyre.
Më poshtë kemi përzgjedhur disa prej këtyre kalave:
Kalaja e Ali Pashës në Tepelenë
Kalaja e Tepelenës është një monument me vlera të jashtëzakonshme historike e kulturore. Në Mesjetë shquhej për pozitën e saj strategjike, duke pasur nën kontroll rrugët, nga Gjirokastra përgjatë luginës së Drinos dhe tjetra nga Përmeti gjatë luginës së Vjosës. Kalaja e Ali Pashë Tepelenës pozicionuar në veri të qytetit, u rindërtua prej Pashait më 1819 me një sipërfaqe 4-5 ha me tre hyrje dhe 3 kulla.Kjo kala ka patur brenda saraje, garnizone dhe ambiente të një jete aristokratike nisur kjo nga nga struktura solide dhe organizimi perfekt.
Kalaja e Bashtovës
Kalaja e Bashtovës (Castle Bashtova) ngrihet pranë fshatit tëVile-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit të Shkumbinit. Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer venecianëve,per shkembime tregtare. E vecanta e kesaj Kalaje ose Keshtjelle eshte se kjo kjo Keshtjelle eshte e vetmja Keshtjelle ne Ballkan e ndertuar ne fushe. Rrethinat e saj kanë mbetur të plota dhe sot ruhen si një momument kulture nga shteti shqiptar.
Kalaja e Drishtit, Shkodër
Kalaja e Drishtit gjendet në një distancë prej 6 km nga Ura e Mesit mbi lumin Kir. Fshati i sotëm ndodhet poshtë vendgërmimit të Drivastumit të lashtë. Ai u ngrit në periudhën romake si një vendbanim në rrugën Shkodër–Kosovë dhe në antikitetin e vonë ishte njëra prej fortesave zinxhir, të cilat mbronin Shkodrën. Në shek IX, Drishti u kthye në një fortifikim të rëndësishëm të Mbretërise së Zetës dhe varej nga Dioqeza e Tivarit. Kalaja e Drishtit u ngrit në shek XIII si një fortesë bizantine. Gjate shekujve XIV-XV kalaja se bashku me qytetin kaloi nga njeri sundues tek tjetri, derisa me 1478 bie ne duart e osmaneve, te cilet u perpoqen ta meremetonin.
Kalaja e Beratit
Kalaja e Beratit eshte ngritur në një kodër 187 metra të lartë, në të majtë të grykës së lumit Osum. Fillimisht, një vendbanim protourban, në shekullin e VII-V p.e.s, si një pikë strategjike e rëndesishme, ajo u shndërrua në qytet kështjellë me mure që arrinin në gjatësi deri në 1.400 metra dhe me një sipërfaqe prej 10 ha. Burimet historike deshmojne se prej këtij viti kalaja e Beratit ka qenë objekt i sulmeve të ndryshme. Në dokumenta të ndryshme historike të kohës gjenden një sërë emrash. Me emrin e lashte Antipatrea përmendet në vitin 216 p.e.s.. Nga romakët u quajt edhe Albanorum oppidium (fortesa e Arberve). Një nga monumentet më të bukur, më të mëdha dhe më të rëndësishëm të historisë dhe kulturës shqiptare është padyshim kalaja e Beratit.
Kalaja e Borshit
Kalaja e Borshit (ose Kalaja e Sopotit siç njihet ne histori) ndodhet mbi një kodër të fshatit Borsh që është 500 m mbi nivelin e detit dhe daton rreth shekullit IV-III p.k. Kodra e Sopotit, mbi të cilën ngrihet kalaja, ndodhet në Veri të fshatit Borshi dhe ne perëndim te Fterres. Sipërfaqja e saj është shkëmbore.
Nga ana Perëndimore mali formon disa tarraca natyrale, ku duken një sërë tepricash të godinave mesjetare. Mbeturina muresh të kohës antike duken në anën jugperëndimore në një gjatësi prej rreth 10 metra dhe një lartësi prej 1,33 m. Në sipërfaqen e qytezës, janë gjetur fragmente enësh me vernik të zi, të shekullit të IV para erës sonë (periudha pare).
Kalaja e Kaninës
Kalaja e Kaninës është një monument i trashëgimisë kulturore në Kaninë, Rrethi i Vlorës, në qarkun e Vlorës. Ky monument është i llojit “Arkeologji”, i miratuar me numër “Nr.95 Dt. 1.10.1948”. Kalaja e Kaninës ndodhet 6 km larg nga qyteti i Vlorës, në një kodër me lartësi 380m mbi nivelin e detit. Muri rrethues është i gjate 1 km dhe përfshin një sipërfaqe prej 3.5 hektarësh.[2] Mendohet te jetë ngritur aty nga shekulli i IV p.e.r. Në të gjithë sistemin fortifikues dallojmë disa faza ndertimi që shtrihen në dy periudha, në periudhën antike si dhe në atë të periudhës mesjetare, përkatësisht bizantine, veneciane dhe turke. Kalaja u rindërtua nga Justiniani në shekullin VI,[3] i cili në Epir ndërtoi ose rindërtoi 94 fortifikime.[4] Ajo përmendet nga Prokopi i Çezaresë në listen e tij me emrin Kionin.[3] Në shekujt XII-XIII u kthye në një qendër ushtarake të dorës së parë, duke i shërbyer Mbretërisë Mesjetare e të Shqipërisë anzhuine. Gjithashtu u meremetua nga sulltan Sulejmani më 1530 dhe së fundmi nga feudalët shqiptarë të Vlorës ne shekujt XVII-XIX.
Kalaja e Rodonit
Kalaja e Rodonit ndodhet në kepin e Rodonit. Princi Karl Topia dëshironte ta kthente këtë vend në një kantier detar, ndërsa Skënderbeu, duke synuar që të kishte një dalje të afërt në det, ngriti këtu një kështjellë. Kjo kala filloi të ngrihej mbas rrethimit të parë të Krujës në vitin 1450. Përfundimi i saj mendohet të jetë rreth vitit 1452. Muri i kështjellës së Rodonit arrinte në një gjatësi prej 400 metrash dhe në kulmet e saj kishte kulla të rumbullakëta. Në vitin 1500 kalaja u pushtua nga Venediku. Si rezultat i veprimtarive erozive të ujërave të detit, një pjesë e mureve janë zhytur nën ujërat e detit Adriatik. Sot vizitorët mund të shikojnë muret e jashtme të anës së djathtë, të cilat përfundojnë me një kullë të rrumbullakët. Pranë kalasë ndodhen edhe rrënojat e Kishës së Shën Pjetrit, të cilat konsiderohen nga banorët si vend i shenjtë.
Kalaja e Lezhës
Kalaja ngrihet në majë të një kodre me lartësi 186 metra, në lindje të qytetit. Kalaja ka origjinë ilire. Në vitin 1440 ajo iu nënshtrua një rindërtimi nga venedikasit, ndërsa në vitin 1522 pas pushtimit osman u rindërtua edhe nga ana e tyre. Këtu mund të shikohen gjurmë të arkitekturave ilire, romake, bizantine dhe osmane.
Objektet më interesante për tu vizituar janë rrënojat e ndërtesave osmane brenda kalasë, xhamia, kulla në murin juglindor me një hark romak dhe kulla ilire në murin jugor. Kalaja e Lezhës është monument kulture. Prej saj shihet një pamje mjaft e bukur e fushës së Lezhës dhe e detit Adriatik.
Kalaja e ndërtuar në kodër ka një pozicion strategjik që kontrollon luginën e Drinit deri në Gjirin e Shën Gjonit në detin Adriatik.
Kalaja e Krujës
Kjo kala me trajtë eliptike dhe me perimetër 804 m, zë një sipërfaqe prej 2.5 ha tokë dhe është ngritur në një kodër shkëmbore. Gërmimet arkeologjike të vitit 1978 dëshmojnë se kodra ka qenë e banuar që në shek e III p.e.r. ndërsa kalaja është ngritur në shek. V-VI e.r. Pranë saj është zbuluar një varrezë e madhe e kulturës arbërore. Përmendet me emrin e sotëm në shek e IX bashkë me qytetin e Krujës si qendër peshkopale. Në shek XIII-XIV ishte qendra e shtetit të Arbrit. Gjatë periudhës së Skënderbeut u bë krye-fortesa e qëndresës së shqiptarëve kundër pushtimit osman. Edhe në ditët e sotme është një ndër vendet më të njohura dhe më të vizituar nga turistët.
Kalaja e Prezës
Kalaja e Prezës është ndërtuar mbi një shkëmb i cili zgjatet duke u ulur në drejtim të veri-jugut. Ana lindore e kalasë është e mbrojtur nga vetë terreni, kurse ana perëndimore përbën një territor të sheshtë, prandaj dhe fortifikimi është përqendruar pikërisht në këtë pjesë. Sipas autorit Papajani kjo kala është braktisur në kohën e Gjon Kastriotit, dhe më vonë nuk u rindërtua më. Pas pushtimit të Krujës nga osmanët, aty u bënë disa rindërtime, si dhe u ndërtuan një objekt kulti.
Kalaja e Shkodrës
Kalaja e Shkodrës që mban emrin Rozafa është një monument mijëvjeçar i ngritur mbi një kodër shkëmbore në hyrje të qytetit të Shkodrës, në jug-lindje të tij. Qëndron mbi një kodër shkëmbore 130 metra mbi nivelin e detit, e rrethuar nga lumi Buna e Drin, me një sipërfaqe prej gati 9 hektarësh.
Kalaja përbën një simbol të qytetit, e pranishme ndër piktura, gdhendje etj. Gruaja qe ishte murosur e kishe emrin Fati pastaj emri ndeshet Rozaf në biografinë e Nemanjit nga Stefani i Parëkurorëzuar, më 1215. Te Barleti haset në trajtën Rozapha, rreth 1480. Emri vjen prej qytetit Rusafa në Sirinë e sotme, jo larg Palmirës, që është qyteti i përmendur në legjendën e shenjtorëve Sergius dhe Baçhus. Kjo ndërlidhet me kuvendin e famshëm të këtyre shenjtorëve në rrjedhën e lumit Buna, dhe populli e kaloi vendlindjen e këtyre martirëve sirianë te rrethinat më të afërta. Hahn quan “kodrat e Rozafës” krejt kodrat që ndajnë ultësirën e liqenit me atë të lumit Drin. Populli i Shkodrës nuk e njihte me këtë emër, shkruan Hamdi Bushati. Dukagjinasit kishin shprehjen “Kush të sundojë kalanë, jemi me të!”.
Kalaja e Elbasanit
Kalaja e Elbasanit është një kala 2000-vjecare. Ajo ndodhet në qendër të qytetit te Elbasanit dhe dikur ka qenë kështjelle ushtarake. Permes saj kalonte rruga Egnatia, që në atë kohë ishte një rrugë e rëndësishme. Si një objekt historik shumë i rëndësishëm, kalaja është shpallur monument kulture. Brenda saj ndodhen edhe shumë objekte të tjera historike dhe kulturore, si: kulla e sahatit, hamami i vjetër, Xhamia Mbret, Kisha Fjetja e Shën Mërisë etj.
Kalaja e Elbasanit së bashku me muret rrethuese, tregon për rëndësinë ushtarake të qytetit të Elbasanit në periudhën e hershme Osmane. Muri jugor, pak a shume i plotë, dëshmon për përmasat dhe fuqinë e fortifikimeve si dhe një pjesë e materialeve nga periudha romake e bizantine që janë përdorur gjatë rindërtimit nga Mehmeti i II, mund të shihen qartë në themelet e kullës jug perëndimore. Kjo kala ka pasur 26 kulla në largësi të barabartë nga njëra tjetra, gjatë gjithë murit me lartësi 9 m. Në këtë fortesë përfshihet një pjesë e “Via Egnatia” që kalon përmes saj.
Kalaja e Gjirokastrës
Kalaja e Gjirokastrës si histori e lidhur me qytetin e Gjirokastrës, përmendet për herë të parë si qytet dhe kështjellë në vitin 1336. Në këto vite, ajo ishte qendra e feudalëve shqiptarë Zenevisë. Më vonë, gjatë sundimit të Gjin Bue Shpatës, ajo u përfshi në Despotatin e Epirit. E megjithatë historianë të ndryshëm mendojnë se ekzistenca e kalasë së gurtë është më e hershme. Sipas tyre, kalaja ka pas dy faza ndërtimi, të cilat lidhen me periudhën para dhe pas Pashallëkut të Janinës dhe fortesave të Ali Pashë Tepelenës. Nga Kalaja mesjetare, ajo e para pushtimit osman-shqiptar të Ali Pashës, ruhen vetëm pak gjurmë pasi muret janë veshur deri në lartësi nga ndërtimet e reja. Ndërsa, kullat pjesërisht janë rrënuar dhe ripërshtatur.
Kalaja e Porto Palermos
Kalaja e vogël është e vendosur në një pozicion mjaft të bukur në një gadishull në gjirin e vogël tektonik të Porto Palermos (në antikitet e njohur si gjiri i Panormes). Kalaja ndodhet jo larg fshatit të Qeparose dhe ka formë trekëndore. Përmasat e saj janë 150 m x 400 m. Lartësia e mureve arrin në 20 m.
Kalaja e Porto Palermos ndodhet në gjirin me të njëjtin emër në bregun e detit Jon në Shqipërinë e jugut. Kalaja ndodhet mbi një ishull rreth 30 m larg bregut ku rripi i ngushtë ujor midis bregut dhe ishullit është mbushur me dhe e gurë për të realizuar një lidhje tokësore me të.
Kalaja ka formë planimetrike trekëndore me tre bastione të fuqishme nëpër qoshet. Hyrja ndodhet në mesin e murit jugor. Nga ana e detit, midis dy bastioneve një sipërfaqe në formë trapezi është rrethuar me mure të pajisura me frëngji. Pjesa tjetër e kështjellës përbëhet nga një numër i madh ambientesh të mbuluara me qemerë të cilat përfundojnë në pjesën e sipërme me një tarracë të përbashkët. Ambientet shërbenin për strehimin e garnizonit, ndërsa njeri prej tyre shërbente si burg.
Kalaja është shume me e vjetër se Ali Pashaj, ai e ka restauruar, e ka pasur ne kontroll këtë pike dhe vetëm si vizitor ka qene aty, nuk ka jetuar kurrë aty. Kishën (Shën Nikolla) nuk e ka bere ai ka qene atje, dhe gjelbërimi nuk është gjithëvjeçar ne dimër thahet.