Divjaka qyteti i vogël që ka një histori të lashtë, lidhet me “Via Egnatian” e Romës së Vjetër dhe me qytetin e Humbur Arnisa. Emri “Divjaka” rrjedh nga kjo rrugë që lidhte Apoloninë me pjesën e saj që vinte nga Durrësi, e që bashkoheshin në Klodiana, ose sikurse quhet sot, Peqini. Divjaka ose Due Vie, Dy Vijat, shtrihej në kodrat ku bashkoheshin këto dy rrugë, nga ku i ngeli dhe emri.
E kthyer tashmë në një nga parqet më natyrore të vizituara për turizmin detar natyror, kulinarinë me bazë prodhimet e detit dhe perimet bio, vëzhgimit të shpendëve ujorë Divjaka mbete një nga vendet më të pëlqyeshme për turistët.
Në Parkun Kombëtar të Divjakës, dhjetra vizitorë vendas e të huaj vijnë për të vizituar nga afër shpendët e shumtë të cilët kanë zbritur kohët e fundit dhe vazhdojnë të zbresin në këtë park të mbrojtur pylli i dendur dhe moratoriumi i gjuetisë.
Objektivi kryesor pa më të voglin dyshim është Pelikani Kaçurrel, i ndjekur më pas nga shpendë të tjerë, përmendim këtu flamingot që gjallojnë në strugat e ëmbla, çafkat, karabullakët, rosat e egra etj të cilët kanë pushtuar lagunën dhe grykëderdhjen e Shkumbinit.
Vendet më të preferuara të vizitorëvë kohët e fundit kanë qenë “Ishulli i Pelikanit”, Këneta e Madhe ku mbretërojnë Flamingot dhe shumë lloje të tjera shpendësh, dhe Këneta e Vogël, ku kryesisht strehohen rosat e egra dhe flamingot.
Tashmë vizitorët nuk janë kurioz të çlodhen në bregdet apo të shëtisin në pyllin e veçantë me pisha të buta, të shijojnë peshkun apo ngjalat e shijshme të Kënetës së Karavastasë, por ata mund të vëzhgojnë edhe shpendë të ndryshëm në jetën e tyre të egër.
Zbatimi i moratoriumit për ndalimin e gjuetisë, në këtë zonë ka sjellë një rigjallërim të faunës së egër. Flamingot dhe pelikanët që popullojnë lagunën e Karavastasë, kanë tërhequr vëmendjen e mediave botërore me reportazhet e tyre të shumta për jetën e egër në park. Divjaka është një mbretëri natyrore, që mund të vizitohet në çdo ditë të vitit.