Dollari ngrihet mbi euron

Dollari po qëndron në nivelin më të lartë në 20 vitet e fundit. Monedha amerikane kushton më shumë se ajo europiane, duke dominuar edhe mbi monedhat e tjera ndërkombëtare. Dollari ka forcuar pozitat në tregun valutor. Ai vijon të qëndrojë i fortë përballë monedhës vendase duke u këmbyer me 118.1 lekë, me rritje në raport me një ditë më parë.  

Monedha amerikane ka kaluar edhe euron, e cila ka shënuar rënie të ndjeshme të vlerës këtë fundjavë. Një euro vlen më pak se një dollarë dhe 116.4 lekë në kursin e këmbimit. Rritja e dollarit ka qenë më e ngadaltë se rënia e euros këtë sezon, e cila sot qëndron në nivelin më të ulët të dy dekadave të fundit. 

Rënia e euros ka rritur kostot për eksportuesit vendas, kryesisht të sektorit fason dhe mineraleve. Nga ana tjetër, vetëm gjatë 3 muajve te fundit, kursimet e shqiptarëve në banka janë zhvlerësuar me 20 milion euro, si rezultat i ndryshimeve valutore.

Bankat qendrore në Europë e SHBA kanë rritur normat e interesit për të shmangur rritjen e mëtejshme të çmimeve dhe recesionin, që po ndikohen nga konflikti Rusi-Ukrainë. Këto rritje përkthehen në formën e kredive më të shtrenjta për publikun dhe në rritje të normave të kredive e borxhit, çka mund të sjellin një ngadalësim më të madh ekonomik se parashikimet.