DPT/ Subjektet me qarkullim vjetor 10 milionë lekë, dalin nga TVSH

Nga data 1 janar i këtij viti, të gjitha subjektet që kanë qarkullim vjetor nën 10 milionë lekë nuk do të paguajnë më TVSH-në.
Në zbatim të nenit 117, të ligjit, Nr.92/2014, datë 27.07.2014 “Për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh në një vit kalendarik. Personi i tatueshëm ka të drejtë të zgjedhë të zbatojë regjimin normal të TVSH-së, nëse qarkullimi vjetor është më i madh se 5 000 000 lekë. Për subjektet janë krijuar paqartësi të shumta se si duhet të veprojnë me tepricën kreditore të krijuar deri në fund të vitit të kaluar si dhe mallrat stok të cilat janë blerë me TVSH. Tatimet i janë përgjigjur një kërkese për informacion nga Monitor dhe kanë sqaruar se si duhet të veprojnë subjektet që kanë pasur tepricë kreditore deri në fund të vitit 2020. 

Sipas infos së tatimeve: “Me qëllim të zbatimit sa më korrekt të dispozitës ligjore të mësiperme, të gjithë tatimpaguesit që kanë realizuar një qarkullim nën 10.000.000 leke në një vit kalendarik duhet që: TVSH-në e akumuluar (tepricë kreditore TVSH) deri në 31.12.2020 do ta deklarojnë në formularin e deklarimit dhe pagesës së TVSH-së, të muajit Dhjetor 2020, para se te kryhet çregjistrimi nga TVSH-ja, nga vetë personi i tatueshëm, konkretisht në rubrikën 50 “Rregullimi i tvsh-së së zbritshme”. Shembull: Një tatimpagues i regjistruar për TVSH-në, në 31.12.2020 ka një tepricë kreditore prej 30.000 leke që i korrespondon një vlere e tatueshme prej 150.000 leke.   

Nëse tatimpaguesi është objekt i dispozitës ligjore të sipërpërmendur atëherë ky i fundit do të deklaroje në formularin e deklarimit dhe pagesës së TVSH-së së muajit Dhjetor 2020 në rubrikën 50 “Rregullimi i TVSH-së së zbritshme”​ vlerat 150.000 vlere e tatueshme dhe 30.000 TVSH. TVSH-ja e paguar nga këta tatimpagues për mallin gjendje (stok) do të njihet si kosto. Shembull: Nëse një tatimpagues ka mall stok 100 lekë dhe për këtë mall stok ka paguar 20 leke TVSH në momentin që ka blerë mallin, mbas çregjistrimit të tatimpaguesit nga përgjegjësia tatimore e TVSH-se kjo vlere TVSH-se llogaritet si kosto e mallit. Pra tatimpaguesi mbas çregjistrimit nga TVSH-ja do ta shesë mallin 120 leke kosto+ marzhi.
GELDTrade.al