Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve sqaron: Fiskalizimi, s’kemi të bëjmë me një taksë të re, por modernizim të mënyrës së faturimit

Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj ka shpjeguar procesin e Fiskalizimit, ku thotë se nuk kemi të bëjmë me një taksë të re. Nëpërmjet një video, Ibrahimaj shprehet se Fiskalizimi është reforma e lëshimit të faturës elektronike dhe modernizimi i mënyrës së faturimit.

Sipas saj, Fiskalizimi është një tërësi masash që përdoren për të ulur evazionin fiskal, ndërsa shton se procesi i lëshimit të faturës elektronike është një direktivë e Bashkimit Europian.

“Fiskalizimi është reforma e lëshimit të faturës elektronike dhe se nuk përkthehet në një taksë e re, por është modernizimi i mënyrës së faturimit. Është një tërësi masash që përdoren për të ulur evazionin fiskal, për transaksionet me dhe pa para në dorë. Reforma e Fsikalizimit bën të mundur raportimi e të gjitha transaksioneve në kohë reale. Reforma e Fiskalizimit është testuar si dhe ka rezultuar e suksesshme në disa vende të BE si Italia, Kroacia e Sllovenia. Procesi i lëshimit të faturës elektronike është një direktivë e Bashkimit Europian që për një periudhë afatmesme do të aplikohet në të gjitha vendet anëtare”, thotë ajo.

Procesi i fiskalizimit në vend ka nisur që nga 1 janari për bizneset që kanë marrëdhënie tregtare me qeverinë. Nga 1 korriku, procesi shtrihet me transaksionet midis bizneseve dhe më 1 shtator për të gjitha transaksionet me para në dorë biznes-konsumator.

Pavarësisht këtyre afateve, Administrata Tatimore ka sqaruar më herët se të gjithë subjektet kanë mundësi të fiskalizojnë transaksionet e tyre edhe më përpara.