Drejtoria e transporteve draft për ndryshime në Kodin Rrugor, pritet të ndalohen skuterat elektrik

Skuterat elektrik të cilat përdoren në masë të gjerë, shpesh janë burim aksidentesh. Për këtë arsye është menduar të ndryshohet Kodi Rrugor për të vendosur disa rregulla në përdorimin e tyre.

Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, në bashkëpunim me Policinë Rrugore po hartojnë një draft projekt sipas të cilit do të vendoset edhe një moshë minimale për përdorimin e tyre.

“Në diskutimet që kemi hasur kërkohet një regjistrim i kësaj kategorie, për të ditur se sa mjete të kësaj kategorie qarkullojnë në rrugët e Shqipërisë. Diskutohet që mosha minimale të jetë 16 vjeç, por është ende herët sepse janë ekspertët ata që po e studiojnë projekt/draftin dhe do të dalin me konkluzionet përfundimtare”, sqaroi Gerhard Baka, specialist i qarkullimit rrugor.

Ndër të tjera drejtuesit e patinave elektrike do të duhet të përdorin veshje mbrojtëse.

Po ashtu po mendohet që në Kod të përfshihet edhe veshja e jelekut fosforeshent për drejtuesit e tyre.

“Është shumë mirë që përdoruesit e biçikletave dhe këtyre kategorive të jenë të pajisur me pajisje shtesë, siç janë gjunjëzat dhe krahoret, kaska është e detyrueshme të përdoret, shpresojmë të vendosin dhe jelekun fosforeshent”, shtoi Baka në një intervistë për Report Tv.

Prej muajit gusht 2023 kur ka nisur aplikimi i masave administrative për monopatinat elektrike deri më 5 janar 2024, janë vendosur 296 gjoba, duke përfshirë të gjitha shkeljet si: “mos qarkullimi në korsinë e duhur”, “kalimi me semafor të kuq” apo dhe “mosmbajtja e mjeteve mbrojtëse”.

Viti 2023 u mbyll me 48 aksidente që përfshijnë monopatinat elektrike, me 31 të plagosur lehtë dhe 1 viktimë. Të tilla shifra dhe monitorimet e fundit nga Policia Rrugore kanë bërë që autoritetet përgjegjëse të ndërmarrin hapa konkretë siç është dhe ndërhyrja në Kodin Rrugor.