Drejtuesi i sigurisë në OpenAI jep dorëheqjen, paralajmëron se kultura e kompanisë ka humbur


David Robinson, ish-drejtues i sigurisë në OpenAI, është larguar nga kompania duke paralajmëruar se industria e inteligjencës artificiale nuk po tregohet mjaftueshëm e kujdesshme për rreziqet e kësaj teknologjie. Në një ese të publikuar në revistën The Atlantic, me titull “I quit OpenAI because its culture is broken”, ai argumentoi se problemi shkon përtej rregullave dhe ligjeve, duke përfshirë vetë kulturën e kompanive teknologjike.

Robinson, i cili kontribuonte në raportet e sigurisë të publikuara së bashku me produktet e OpenAI, kritikoi ritmin e shpejtë të zhvillimit dhe lançimit të modeleve të reja. Sipas tij, presioni për të sjellë vazhdimisht produkte të reja po pengon zbatimin e masave të nevojshme të sigurisë.

Ai përmendi gjithashtu një incident ku një grup agjentësh autonomë të OpenAI sulmuan platformën Hugging Face, duke e cilësuar këtë si shembull të rreziqeve që mund të lindin kur sistemet e AI veprojnë pa mbikëqyrje njerëzore.

Robinson kërkoi që kompanitë e AI të marrin ekspertizë nga sektorë me standarde të larta sigurie, si industria bërthamore dhe aviacioni, si dhe të zhvillojnë metoda të reja për të kontrolluar sistemet autonome gjithnjë e më të fuqishme.

https://www.quantamagazine.org/wp-content/uploads/2024/11/Geoffrey-Irving_crAlecsandra-Dragoi.webp
Geoffrey Irving

Paralajmërime të ngjashme ka dhënë edhe Geoffrey Irving, ish-punonjës i OpenAI, i cili vlerësoi se ekziston rreth 50% mundësi që zhvillimi i inteligjencës artificiale më të aftë se njerëzit të çojë në zhdukjen e njerëzimit. Megjithatë, parashikime të tilla janë kritikuar për mungesë verifikimi shkencor.

OpenAI deklaroi se po forcon masat e sigurisë dhe se është e gatshme të pezullojë trajnimin ose publikimin e modeleve kur rreziqet e kërkojnë këtë.



Burimi Geekroom.al