KE nuk ka vendosur një datë në konkluzionet për Shqipërinë lidhur me hapjen e kapitujve të parë në negociatat për hyrjen në BE. Nga këto konkluzione lihet të kuptohet, se shkak për këtë qëndrim është bërë veto e paralajmeruar e Greqisë për çështjen Beleri, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, të arrestuar me burg me akuzën e shit-blerjes së votave. Kërkesat e tij për të bërë betimin si kryebashkiak edhe duke qenë në burg janë hedhur poshtë
Shqipëria të forcojë të drejtat themelore të minoriteteve
KE i bën thirrje Shqipërisë,”të forcojë më tej mbrojtjen e të drejtave të personave që u përkasin minoriteteve.” Komuniteti grek, që jeton në fshatrat e Bashkisë së Himarës, pretendon se të drejtat e tij të pronësisë po shkelen nga investitorë strategjikë, të cilët investojnë në pronat e tyre të rrëmbyera përmes korrupsionit dhe lidhjeve me pushtetin. Ky komunitet pretendon që nuk i jepen leje nga institucionet qeveritare për të investuar në sektorin e turizmit, në pronat e tyre. Leje zhvillimi në sektorin e turizmit marrin vetëm investitorët strategjikë që përmes kërcënimeve dhe korrupsionit bëhen pronarë të tokave të tyre në Himarë.
Në fushatën zgjedhore për Zgjedhjet Lokale 2023 në Himarë, Fredi Beleri, që ndodhet në burg, kryebashkiaku i zgjedhur dhe anëtar i komunitetit grek të Himarës, premtoi të kontribuonte për ta ndryshuar këtë situatë. “KE inkurajon zbatimim e një reforme gjithëpërfshirëse në sektorin e tokës dhe konsolidimin e të drejtave të pronësisë në një mënyrë transparente, duke përfshirë konsultimet me të gjithë aktorët, adresimin e rasteve të falsifikimit të dokumenteve dhe avancimin e shpejtë të procesit për regjistrim dhe kompensim të pronarëve,” theksohet në konkluzionet e KE për zgjerimin e BE.
Situata e trazuar politike në Shqipëri
Bllokimi prej 6 javësh i punimeve të parlamentit nga deputetët e grupimit të Rithemelimit të PD, të kryesuar nga ish-kryeministri Sali Berisha, hedhja në foltore i bombave tymuese dhe aksioni i mosbindjes civile të ndërmarrë nga ky grupim ka sjellë një situatë të trazuar politike në Shqipëri. “KE rikujton se dialogu politik gjithëpërfshirës dhe konstruktiv në vend mbetet thelbësor për të çuar përpara miratimin e reformave të lidhura me BE,” theksohet në konkluzionet për Shqipërinë. Situata politike është një tjerër shkak që KE të mos i japë një datë Shqipërisë për të hapur kapitujt e parë të negociatave të anëtarësimit.
Bashkëpunimi rajonal-në thelb të procesit të zgjerimi
Në konkluzionet e KE për Shqipërinë vihet në dukje “angazhimi i vazhdueshëm konstruktiv i Shqipërisë në bashkëpunimin rajonal.” “Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi rajonal mbeten elemente thelbësore të procesit të zgjerimit, si dhe të Procesit të Stabilizim-Asociimit”, vë në dukje KE.
SPAK: Të vazhdojë përpjekjet kundër korrupsionit
KE vlerëson rezultatet konkrete e arritura nga Struktura e Posaçme Anti Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, (SPAK) dhe “bashkëpunimin e mirë dhe të vazhdueshëm me agjencitë e zbatimit të ligjit të BE dhe shteteve anëtare.”
“Përpjekjet për të krijuar një histori solide në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar duhet të vazhdojnë. Është i nevojshëm gjithashtu një bashkëpunim i shtuar në hetime, duke përfshirë Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (European Anti Fraud Office-OLAF). Në verën e këtij viti, Brukseli njoftoi për ndërprerjen e fondeve të BE, IPARD II, (Instrument for Pre-accession Assistance for Rural Development) pas një raporti të OLAF për abuzime me këto fonde dhe dyshimeve për korrupsion. Raporti i ekspertëve të OLAF zbuloi që fondet e marra nga investitorë strategjikë në Dhërmi ndryshe nga sa figuronte në dokumentacionin zyrtar ishin përdorur për të ndërtime private vilash. DW