Dyfishohet taksa për tokat bujqësore

Ligji i ri i taksimit të pasurive të paluajtshme i cili është në fazë konsultimesh,  parashikon edhe rritjen e taksës për tokat bujqësore. Sipas nenit 37 të draftit, baza e taksës për tokën bujqësore është sipërfaqja e tokës bujqësore, në hektar, në pronësinë ose posedimin e taksapaguesit. Sipërfaqja e tokës në pronësi përcaktohet sipas dokumentacionit të vërtetimit të pronësisë. Në rast të mungesës së dokumentacionit të vërtetimit të pronësisë, poseduesi i tokës bujqësore bën një vetë-deklarim të sipërfaqes së tokës bujqësore, pranë Bashkisë ku ndodhet toka.  Por sa do të jetë niveli i taksës për hektarë?

Konkretisht, në Bashkinë Tiranë, për toka bujqësore, kategori e parë, me një sipërfaqe 1 hektarë, niveli aktual i taksës është 5600 lekë për ha në vit. Duke marrë në konsideratë çmimin 1000 lekë/m2, vlera e taksueshme është 10 milionë lekë, niveli i propozuar i taksës 0.1 %,  dhe taksa për tu paguar në të ardhmen rezulton 10 mijë lekë.