Ekonomia i kthehet rritjes, por konsumi i popullatës ka mbetur i dobët pas pandemisë

Ekonomia e vendit u rrit me 5.53% për qind në tremujorin e parë të vitit, teksa pritshmëritë janë për përshpejtim në tremujorin e dytë. Por Banka e Shqipërisë analizoi se rritja po mbështetet nga volumet e larta në sektorin e ndërtimit, teksa konsumi i popullatës po shfaq dobësi dhe ende është poshtë niveleve para-pandemike.

Konsumi i popullatës u rrit me vetëm 1.5% në tremujorin e parë, megjithatë, prirja e konsumatorëve për të shpenzuar mbetet e përmbajtur dhe poshtë nivelit të para-pandemisë, analizoi, Banka e Shqipërisë në raportin e fundit të Politikes Monetare. Ekonomitë familjare kanë rritur shpenzimet për shërbime dhe mallra jo-ushqimore, në reflektim të uljes së pasigurive. Rritja e kredisë për individë, rritja e pagave dhe e të ardhurave në formën e remitancave kanë financuar rritjen e konsumit privat në tremujorin e parë.

Besimi konsumator ka ardhur gradualisht në përmirësim dhe ka mbështetur kryerjen e shpenzimeve. Megjithatë, niveli i këtij treguesi mbetet ende nën nivelin e para-pandemisë, duke evidentuar brishtësinë e gjallërimit të konsumit privat.

Bazuar në të dhëna të disponuara për tremujorin e dytë, konsumi privat ka vijuar prirjen rritëse. Si importi i mallrave për konsum ashtu dhe ai i makinave të importuara shënuan rritje të fortë në tremujorin e dytë.

Të dhëna nga vrojtimet e besimit tregojnë për rritje të besimit në sektorët e tregtisë dhe të shërbimeve, duke sugjeruar rritje të kërkesës konsumatorë për mallra dhe shërbime.

Të dhëna më të detajuara nga vrojtimi i konsumatorëve sugjerojnë se sjellja e konsumatorëve do të mbetet e kujdesshme.

Performanca e treguesit për blerjet e mëdha është përmirësuar gradualisht gjatë këtij viti, por vlerësimi i konsumatorëve për kursimet ende është në një prirje rritëse.

Kërkesa e brendshme u zgjerua me 4.8% në terma vjetorë në tremujorin e parë të vitit 2021, nga 4.0% një tremujor më parë. Ndikimi kryesor ka ardhur nga rritja vjetore e “Investimeve” me 21.1%, ecuri kjo dukshëm e përshpejtuar krahasuar me tremujorët e mëparshëm.

Në të njëjtën kohë, rritja e “Konsumit të popullatës” (1.5%) ishte lehtësisht e ngadalësuar krahasuar me tremujorin e mëparshëm (1.9%). Ndikime pozitive kanë ardhur edhe nga “Konsumi publik” i cili u rrit me 5.2% në terma vjetorë.