Eksperti ndan detajet e fundit për pensionistët

Eksperti i njohur i ekonomisë, Koço Broka ka dhënë të gjitha detajet e fundit për problematikat dhe pikëpyetjet që kanë pensionistët. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Z.Broka shprehet se skema e pensioneve që synon të sjellë të ardhura më të larta është e domosdoshme që të ndryshohet pasi kanë kaluar 10 vite dhe tani kanë ndodhur ndryshime shumë të mëdha. Gjithashtu, eksperti thotë se për vitin 2023 nuk kishte indeksim të plotë të pensioneve dhe qeveria e shteti i kanë mbetur borxh pensionistëve. Në fund, Z.Broka thotë se në kushtet kur indeksimi u bë në nivel 8.6%, më i lartë se 6. 7% dhe ky mbartet këtë vit, rregullimi tani për tani të bëhet vetëm me bonus dhe është e domosdoshme që bonusi të bëhet sa më shpejtë.

 

-Shumë shpejt do të aplikohet një skemë e re për pensionet por edhe për mbrojtjen sociale në tërësi. Duke qenë se reforma e bërë në vitin 2014-të e ka mbyllur ciklin e saj dhe nuk ka adresuar siç duhet problematikat, Banka Botërore dhe qeveria shqiptare po bëhen gati të vënë në jetë një reformë të re, e cila synon të ketë më shumë qëndrueshmëri dhe të sjellë të ardhura më të larta për pensionistët. Sipas jush, pse Shqipëria po ndryshon skemën e pensioneve pas 10 vitesh?

Skema e pensioneve është e domosdoshme që të ndryshohet pasi kanë kaluar 10 vite dhe tani kanë ndodhur ndryshime shumë të mëdha. Së pari, ndryshimi kryesor është ndryshimi demografik, me masat që u morën pas reformës u bë e mundur të rritej numri i kontribuuesve të sigurimeve shoqërore, por ndërkohë gjatë kësaj periudhe numri i kontribuuesve u rrit nga 554 mijë në 705 mijë pensionistë. Kjo u kompensua në një numër akoma më të lartë të kontribuuesve të rinj. Kemi një situatë tjetër, ku numri i atyre që dalin ne pension është më i madh ose i barabartë me ato që hyjnë në tregun e punës. Kjo do të thellohet dhe vitet në vazhdim, e për rrjedhojë pas 10 vitesh do të jemi në situatën ku numri i pensionistëve do të shtohet me 170-180 mijë dhe numri i kontribuuesve do të jetë më i vogël por dhe mund të bie, por këtë nuk mund ta them pa dalë të dhënat e censit të popullsisë. Publikimi i të dhënave të censit është domosdoshmëri dhe pa dalë të dhënat e censit askush nuk mund të thotë se cilat janë drejtimet kryesore të konsolidimit të reformës së re të pensioneve. Së dyti, kemi një problem, reforma e pensioneve e vitit 2014 pati si dukuri një element shumë të rëndësishëm. Në qoftë se reforma ose skema e pensioneve deri para vitit 2014 parashikonte që sistemi i pensioneve të siguronte një nivel minimal jetese. Në këto kushte, pensioni bazë ishte rreth 120 mijë lekë. Ky pension me reformën e re të 2015, u ul me 67 mijë e 500-të, por ndërkohë u rrit koeficienti i indeksimit të pagave, si dhe u rrit koha për të marr pension të plotë. Nga 35 vjet është parashikuar që çdo vit koha shtohet me 4 muaj për të marrë pension të plotë. Aktualisht për të marrë pension të plotë duhen 38 vite e 4 muaj. Në vitin 2029 duhet të arrish 40 vite punë për të marrë pension të plotë. Ndërkohë që po ndodh kjo, kemi dukurinë që dalin në pension njerëz që gjatë dekadës së parë të dalin me shpejtësi, në këto kushte është ulur mosha kontributive e pagimit të pensioneve. Pas vitit 2015 kemi rritjen e moshës në mënyrë me katër vjet në çdo vit por kemi uljen e periudhës kontributive për arsye se kemi një papunësi masive te moshat e reja. Kjo situatë ka krijuar një gjendje të tillë ku pensioni mesatar i pensionistëve të rinj është rreth 150 mijë lekë, nga 145 mijë lekë. Kemi një nivel shumë të ulët të pensionit, kjo ka krijuar një problem shumë të madh, nga njëra anë qëndrueshmëria e skemës dhe nga ana tjetër kemi një nivel shumë të ulët të nivelit të pensioneve. Kjo situatë kërkon një ndërhyrje, por kjo ndërhyrje nuk mund të bëhet pa patur rezultatet e të dhënave të censusit.

-Në skemën e re, pritet të rishihet indeksimi i pensioneve, ku aktualisht merret në konsideratë inflacioni i shportës. Sa e mundshme është kjo?

Vendi ynë ka patur dy metoda të indeksimit të pensioneve, në vitin 1994 metoda e indeksimit të pensioneve ishte që sa herë rriteshin paga, të rriteshin dhe pensionet. Ky rregull u zbatua. Niveli i inflacionit në përgjithësi, me përjashtim të vitit 2002, ka qenë relativisht i ulët në nivelet 2-3%. Nga viti 2014 deri tani, kemi vetëm indeksim të pensioneve, kemi zbatuar metodën, vetëm në bazë të inflacionit por duke marrë parasysh shportën e mallrave që është specifike për pensionistët. Përjashtim bën viti 2023, ku nuk kishte indeksim të plotë të pensioneve dhe qeveria e shteti i kanë mbetur borxh pensionistëve. Niveli i inflacionit mesatar ka qenë 6.7%, kaq duhej të rritej niveli i pensioneve, por kjo nuk është bërë. Del e nevojshme që për grupe të caktuara pensionistësh, të paktën ato më të ardhura nën mesatare të kenë nivel më të lartë indeksimi. Duhet të ketë një skemë të veçantë. Duhet t’i nënshtrohet skemës së shportës së pensioneve, si për pagat e ulëta, si për pagat e lara, kjo është domosdoshmëri për arsye se t’ju jap garanci kontribuuesve të rinj që pensioni i tyre do të rritet në të ardhmen. Ndërsa për pensionistët nën nivelin minimum të jetesës, është e domosdoshme të merren masa për rritjen e nivelit të jetesës. Ko është parashikuar dhe në vetë ligjin e Sigurimeve Shoqërore. Të bëhet një indeksim më i lartë për shtresën e pensionistëve që janë me të ardhura më të ulta sesa pensioni mesatar.

-Po ashtu, në fokus të ndërhyrjeve do të jetë edhe mosha e daljes në pension referuar projeksioneve qe janë bërë nga reforma e vitit 2014, si dhe do të preken edhe pensionet suplementare. Mund të na jepni më shume detaje rreth kësaj?

Sa i përket moshës, reforma e tanishme e ka parashikuar rritjen e moshës. Çdo vit, grave iu shtohen katër muaj nga mosha e daljes në pension, kjo skemë do të vazhdojë deri në vitin 2032. Më pas do të vazhdojë edhe rritja e moshës si të burrave dhe të grave. Duke patur parasysh nivelin e jetëgjatësisë në vendin tonë, nuk mendoj se duhet rritur tani për tani mosha e daljes në pension. Kemi një numër jo të vogël, rreth 100 e ca mijë persona që punojnë dhe pas daljes në pension. Vitin e kaluar u mor masa që të vetë punësuarit të cilët kanë arritur moshën e pensionit të mos paguajnë më kontribute shoqërore ndërkohë ato që punojnë në sektorin privat, paguajnë siguracione por nuk iu shtohet pensioni. Kjo është një anomali dhe duhet rregulluar pasi punojnë, paguajnë kontribute shoqërore dhe as nuk iu njihet duke iu shtuar pensionin në një masë përkatëse. Aktualisht ka një padrejtësi sa i përket pensioneve të detyrueshme dhe pensioneve suplementare, këto të fundit janë shumë gjeneroze dhe ka një pabarazi te pensionet suplementare, veçanërisht pensionet e deputetëve dhe niveleve të tjera të administratës. Një deputet për dy vitet e para të pensionit merr pension sa 10 % pagës referuese të tij, e cila është të paktën 3 milionë lekë. Më pas merr 5% në vit. Me vetëm 4 vite me vetëm një legjislaturë, një pensionist deputet merr 30% të pagës si pension suplementar përveç pensionit të detyrueshëm. Dhe brenda 4 viteve, del një pension shumë më i madh se 40 vite kontribute shoqërore që i janë paguar.

-Ndërkohë në prill të vitit 2023 pati një indeksim te pensioneve, por pensionistët shprehen se nuk është i mjaftueshëm dhe kërkojnë një tjetër indeksim së shpejti. Por ka një kakofoni pasi ka zërë se mund të ketë një indeksim tani, ndërsa të tjerë thonë se do të jetë në muajin tetor. Sipas jush kur do të jetë indeksimi i radhës dhe a janë të efektshme indeksimet që bëhen?

Ekziston në përputhje me kërkesën e ligjit të pensioneve, që parashikon indeksimin e pensioneve, kanë dalë dy vendimeve të Këshillit të Ministrave për reformën konkrete të indeksimit. Ai vendim përcakton shportën e mallrave mbi bazën e të cilit përllogaritet indeksimi i pensioneve, përcakton edhe datën. Kemi dy vendime, një i vitit 2006 dhe një i vitit 2017, fryma dhe germa e vitit 2006 ishte shumë e qartë që përcaktonte dhe datën e indeksimit. Po kështu, fryma dhe gërma e vendimit të vitit 2017, përcakton mënyrën e llogaritjes së shportës të inflacionit mbi bazën e shportës specifike të mallrave për pensionistët, përcakton kur del llogaritja e inflacionit nga ISTAT-i dhe brenda datës 10 shkurt INSTAT i dërgonte rezultatet institucioneve përgjegjëse por këto kanë ndryshuar vitet e fundit. Dhe ishte e natyrshme që të bëhej indeksimi në prill. Kemi një specifikë, vitin e kaluar indeksimi është bërë me 2.4%, atëherë patjetër që qeveria dhe ministria e Ekonomisë dhe Financave të bëj indeksimin. Ministri i Financave ka thënë se ne kemi zbatuar ligjin, por jo ai nuk ka zbatuar ligjin. Le të bëhet ballafaqimi i ministrisë se si është bërë indeksimi për vitin e kaluar.

-Po bonus a ka mundësi të ketë për pensionistët?

Në kushtet kur indeksimi u bë në nivel 8.6%, më i lartë se 6. 7% dhe ky mbartet këtë vit, rregullimi tani për tani të bëhet vetëm me bonus dhe është e domosdoshme që bonusi të bëhet sa më shpejtë.