Eksportet e bimëve mjekësore bien me 22%, shkak bëhet rënia e euros

Rënia e vazhdueshme e kursit të këmbimit të lekut me euron dhe dollarin vijon të godasë bizneset eksportuese shqiptare.

Pas sektorit fason të tekstileve dhe këpucëve, zhvlerësimi i valutës së huaj ka ulur në nivele të larta edhe eksportet e bimëve mjekësore.

Në periudhën janar-tetor 2023, sipas të dhënave të INSTAT, eksportet e grupit “Farat vajore, bimët industriale apo medicinale, ushqim për kafshët” ranë me 22% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Rënia e eksporteve të bimëve mjekësore për 2023 është më e fortë se gjatë vitit të pandemisë nga COVID-19.

Kryetari i Shoqatës së Bimëve Medicinale dhe Aromatike, Filip Gjoka, tha për “Monitor” se tkurrja e lartë e eksporteve është ndikuar tërësisht nga zhvlerësimi i monedhës evropiane dhe dollarit për shkak të flukseve të larta hyrëse të parave informale.

“Me përfundimin e sezonit turistik dhe largimin e turistëve tashmë nuk ka asnjë shpjegim apo logjikë ekonomike për rënien e vazhdueshme të euros dhe për arritjen e saj afër nivelit prej 100 lekësh.

Është më se e qartë se rënia e monedhës evropiane, por edhe e dollarit në këto nivele po ndikohet vetëm nga prurja e parave nga jashtë nëpërmjet burimeve të nëndheshme.