Ja cilët janë personat që mund të pasojnë Elon Musk si shef të Twitterit

Elon Musk së shpejti do të mund të jetë në kërkim të një drejtori të ri ekzekutiv për Twitter.

Pas kritikave në ngritje mbi udhëheqjen kaotike të tij në Twitter, duke përfshirë edhe vendimet e fundit për pezullimin e gazetarëve të teknologjisë e pastaj prezantimin e një politike të re ku ndalohej postimi i linqeve për platformat rivale, Musk e bëri një sondazh duke pyetur se a duhet që ai të largohet si drejtor ekzekutiv i platformës.

Sondazhi përfundoi të hënën ku 57 për qind e votuesve vlerësuan që Musk të largohej nga pozita e lartë.

Musk nuk ka komentuar mbi rezultatet e sondazhit.

Në fakt, Musk kaloi një kohë të gjatë të hënën pa postuar fare në Twitter.

Por edhe nëse Musk nuk e respekton menjëherë rezultatin e sondazhit të tij, drejtori ekzekutiv i Tesla-s ka të ngjarë të vazhdojë të përballet vetëm me presionin nga investitorët e prodhuesit të makinave për t’ia dorëzuar frenat e drejtimit dikujt tjetër sa më shpejt që të jetë e mundur.

Musk, nga ana e tij, tha në një postim në Twitter të dielën para mbylljes së sondazhit: “Askush nuk e dëshiron punën që mund ta mbajë Twitter gjallë. Nuk ka pasardhës”.

Nëse Musk do të kërkonte për një drejtor të ri ekzekutiv, ai me siguri se do të kishte kandidatë të gatshëm.

Lista e njerëzve që kanë ofruar shërbimet e tyre për drejtimin e platformës tashmë përfshinë emra si John Legere, ish drejtor ekzekutiv i T-Mobile, studiuesin për inteligjencë artificiale i MIT, Lex Fridal, dhe rep-artistin Snoop Dogg.

Tom Anderson, një nga themeluesit e MySpace, komentoi gjithashtu sondazhin e Musk për largimin nga pozita e drejtorit ekzekutiv , duke thënë, “varet se kë do ta zgjedhësh që ta drejtojë platformën”, me një emoji me fytyrën që mendon.

Ka gjithashtu disa kandidatë shumë të kualifikuar atje – si ish-drejtori ekzekutiv i Facebook, Sheryl Sandberg dhe zëvendësshefi Mike Schroepfer, të cilët të dy lanë rolet e tyre në gjigantin e mediave sociale në fillim të këtij viti – edhe pse vështirë se mund t’i bindin ata të marrin përsipër kaosin në të cilin gjendet Twitter.

Ndoshta edhe Jack Dorsey, themeluesi i Twitter, drejtori ekzekutiv i Block dhe mik i Musk, i cili më parë kishte thënë se nuk do të kthehej për të drejtuar rrjetin social.

Kandidatët e mundshëm më të dukshëm për një drejtor të ri ekzekutiv të Twitter janë “togerët” e Musk, të cilët kanë ndihmuar në drejtimin e kompanisë që nga marrja e tij në pushtet.

Lista e shkurtër ka të ngjarë të përfshijë investitorin Jason Calacanis, partnerin e Craft Ventures, David Sacks dhe Sriram Krishnan, një partner i përgjithshëm i Andreessen Horowitz i fokusuar në kripto dhe ish shef i ekipit për klientë në Twitter.

 

Jason Calacanis

Calacanis, i cili u shfaq në botën e teknologjisë si reporter gjatë shpërthimit të “dot com”, është një investitor i fazës së hershme që ka mbështetur kompani të njohura si Uber dhe Robinhood. Ai gjithashtu ka lansuar disa prona mediatike dhe pret dy podkaste (një në partneritet me Sacks).

David Sacks

Sacks, i cili së bashku me Musk ishte një nga ekipi themelues fillestar në PayPal, ka të paktën një përvojë në menaxhimin e një rrjeti social. Ai themeloi dhe drejtoi platformën e komunikimit të ndërmarrjeve Yammer, përpara se t’ia shiste Microsoft-it në vitin 2012 për 1.2 miliard dollarë.

Sriram Krishnan

Në letër, Krishnan mund të jetë zgjedhja më e qartë nga ky grup i emrave. Ai ka përvojë të drejtpërdrejtë duke punuar në produktin Twitter, pasi më parë ka ndihmuar në menaxhimin e ekipeve përgjegjëse për veçoritë e platformës si kërkimi dhe tek “home feed”. Ai gjithashtu ka punuar më parë në produktet e reklamave celulare për Snapchat dhe Facebook.

Emri nga “wildcard”

Disa përdorues të Twitter kanë spekuluar për drejtues të tjerë të mundshëm për kompaninë e mediave sociale, duke përfshirë dhëndrin e Donald Trump, Jared Kushner, i cili u pa duke shikuar finalen e Kupës së Botës bashkë me Musk gjatë fundjavës. Kushner gjithashtu është mik i Familjes Mbretërore Saudite, një nga investitorët më të mëdhenj të Twitter.