Shefi i kompanisë Tesla, Elon Musk, ka thënë se do të nisë reklamimin e makinave, për të parë nëse ka rezultat. Në të kaluarën, Tesla nuk e ka shfrytëzuar kurrë reklamimin tradicional për të vënë në pah makinat e saj.
Musk ka thënë se është “ironi” që si shef i Teslas, tani e ka në pronësi edhe platformën sociale, Twitter. Ky rrjet social varet shumë nga reklamat, dhe së shpejti do të udhëhiqet nga veteranja në fushën e reklamimit, Linda Yaccarino.
“Më duket se duhet të them që reklamimi është fantastik, dhe që secili duhet ta bëjë”, ka thënë Musk, në një takim me aksionarët e Teslas në Teksas.
“Do të provojmë pak reklamim, dhe do ta shohim si po ec”.
Ky veprim shpërfaq përpjekjet e tij për të rritur besimin e investitorëve në kompaninë për prodhim të makinave, në kohën kur rritja e konkurrencës dhe ngadalësimi ekonomik, kanë ndikuar në ulje të çmimeve në Tesla.
Prej kur Musk e ka blerë Twitterin, në muajin tetor, reklamuesit i kanë ikur kësaj platforme, të shqetësuar se reklamat e tyre mund të shfaqen në përmbajtje jo të duhur, meqë kompania e ka humbur 80 për qind të stafit.
Musk u ka rezistuar reklamave për vite. Madje, më 2019, ai pati thënë se “e urren reklamimin”, dhe se “ne duhet t’i përdorim ato para për t’i bërë produktet fantastike”. Mirëpo, të martën, ai ka thënë se shume njerëz nuk e dinë sa të përballueshme janë makinat e Teslas dhe çfarë mekanizma “mahnitës” të funksionimit kanë ato.