Qeveria i ka propozuar Kuvendit zgjedhjen e dy anëtarëve të rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë. Vendimi është marrë në mbledhjen e radhës të Këshillit të Ministrave, të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.
Sipas vendimit, Kuvendit i propozohen për votim emrat e Jonida Priftit dhe Ervin Metes.
Ervin Mete ka qenë pjesë e kabinetit qeveritar “Rama”, duke mbajtur më herët postin e ministrit të Financave, si edhe atë të zëvendësministrit në këtë dikaster.
Vendimi i Këshillit të Ministrave
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të shkronjës “b”, të pikës 2, të nenit 44, të ligjit nr. 8269, datë 23.12.1997, “Për Bankën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi:
T’i propozojë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë zgjedhjen e dy anëtarëve për Këshillin Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë:
Znj. Jonida Prifti
Z. Ervin Mete
Vendimi hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren Zyrtare”.











