Teksa numri i aplikimeve për ndërtimin e impianteve të prodhimit të energjisë nga era ka ardhur në rritje, aktualisht vetëm 2 projekte janë licencuar nga Enti Rregullator i Energjisë në këtë veprimtari. Gjithsesi, 2 licencat aktive iu takojnë projekteve të vitit 2008, çka nënkupton se aplikimet e reja nuk kanë avancuar në këtë drejtim. Në fakt, 2 vjet më parë ERE ndërmori një proces të rishikimit të licencave të dhëna para shumë vitesh, çka përfundoi me heqjen e 4 prej tyre e duke lënë aktiv vetëm projektin Kappet, me fuqi 150 MW dhe një tjetër të Sarandë, me fuqi 72 MW.
Kompanitë e këtyre projekteve tashmë janë licencuar për një periudhë 15- vjeçare, por gjithsesi puna në terren nuk ka nisur sërish. Në fakt, energjia e erës është e pashfrytëzuar në vendin tonë, ndonëse sipas një studimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, 25% e territorit të vendit, ka potencial të lartë në këtë drejtim. Paralelisht, ankandi i hapur nga ky dikaster në vitit 2021 pritet të finalizohet brenda muajit korrik, me shpalljen e kompanive fituese.
Nëpërmjet këtij procesi do të përzgjidhen projekte më një kapacitet të përgjithshëm prej 100 MW, të cilët do të përfitojnë masat mbështetëse për blerjen e energjisë. Çmimi tavan në këtë ankand është 75 euro/MW, ndërkohë që do të jetë hapja e ofertave që do të përcaktojë çmimin final, me të cilin shteti do të blejë energjinë nga subjektet fitues.