ERE miraton vendimin: Mbi 800 kWh, energjia do të paguhet me 42 lekë për kilovat

Enti rregullator i Energjisë miratoi vendosjen e fashës deri në 800 kWH, shifër mbi të cilën do të paguhet tjetër çmim. Kështu konsumatorët familjarë që do ta kalojnë këtë vlerë nuk do ta paguajnë tashmë energjinë me 9.5 lekë, por me 42 lekë për kilovat. Ishte KESH që kishte miratuar vendimin për rritjen e energjisë mbi këtë fashë, ndërsa ERE e bëri fakt të kryer pa minuta më parë.

“Bazuar në nevojën për të ardhura për shkak të rritjes se kostos së energjisë vlerësojmë se çmimi te jetë 42 lekë për kwh për konsumin familjar mbi 800 kwh në muaj rikuperon koston e blerjes së energjisë, duke siguruar likuiditet të nevojshëm për FSHU, për garantimin e furnizimit me energji elektrike.

Bëhet e nevojshme që periudha e leximit periodik të matësit duhet të kryhet duke respektuar afatin prej 30 ditë kalendarike për klientët fundorë, me qëllim mbrojtjen e çdo klienti familjar nga çdo keq faturim i mundshëm. Kërkojmë miratimin e çmimit 42 lekë për kwh orë për konsumin mbi 800 kwh”, tha përfaqësuesi i Furnizuesi i Shërbimit Universal.

Nga ana tjetër një vendim i tillë është kundërshtuar nga PD-ja, ku deputetja Jorida Tabaku u shpreh se një nismë e tillë prek qytetarët. Madje Tabaku kërkoi që të mos bëhet një rritje e tillë çmimesh dhe se të jenë prioritet qytetarët dhe jo interesin e qeverisë. Tarifa do të jetë e vlefshme vetëm deri më 31 dhjetor 2022.